Gjendja e jashtëzakonshme brina nuk ka
Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, po i vlerëson jo të duhura masat e reja të paraqitura nga Ministria e Shëndetësisë lidhur me gjendjen e krijuar nga pandemia COVID-19.
Në një intervistë në Klan Kosova ai tha se këto masa ngjasojnë me Gjendjen e Jashtëzakonshme. “Sa e pash unë në konferencën për shtyp që e patën ministrat aty, mua më përngjau definitivisht në një lloj… gjendje e jashtëzakonshme. Gjendja e jashtëzakonshme nuk ka brina. Kjo mund të quhet Gjendje e Jashtëzakonshme.
Nuk dua ta politizoj këtë problem për një arsye, sepse kjo nuk na çon askund. Por po e shoh njëfarë tendence të një uzurpimi të pushtetit që nuk do të duhej të ndodhte. Nëse bëhet për qëllime të tjera politike do të jetë shumë e dëmshme”, tha Rugova.
Ai foli edhe për gjendjen me virusin “Korona” në Istog, ku gjatë ditës së sotme u shënua edhe viktima e tetë, një 39-vjeçare e cila kishte probleme shëndetësore paraprake.
Ai tha se janë duke u ndërmarrë të gjitha masat dhe se fshati prej nga vjen tashmë e ndjera është në monitorim, përderisa shtoi se ka nevojë për sqarime rreth këtij rasti.
“Mendoj se është obligim që të sqarohet familja. Edhe institucionet shëndetësore e kanë për obligim të japin informata që të tregojnë se si ka ardhur deri te vdekja.
Familjarë të ndryshëm më kanë shkruar dhe kanë thënë se familjarja e tyre nuk ka qenë e infektuar me Covid-19, se nuk ka shkuar në spital me koronavirus”, tregoi Rugova.