Gjendja e rëndë me Covid, Kurti thërret mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare
Për shkak të numrit të lartë të rasteve të vdekjeve dhe të të infektuarve me Covid-19, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka anuluar udhëtimin për në Alpbach të Austrisë, ku ishte i ftuar të marrë pjesë në Forumin Evropian “Alpbach 2021”.
Zyra e kryeministrit ka njoftuar se sot pasdite Kurti do të thërras mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Kosovës.
“Për orën e mbledhjes do të njoftojmë së shpejti”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.
Situata në vendin tonë me koronavirusin është shumë e rëndë, në 24 orët e fundit si pasojë e Covid-19 kanë vdekur 18 persona, ndërsa rreth 2 mijë qytetarë kanë rezultuar pozitiv. Spitalet janë stërmbushur me pacientë që po trajtohen nga ky virus, ndërsa bëhet fjalë për mbi 25 mijë raste aktive në vend.