Gjendja e sigurisë në Klinë, e qetë
Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) në Klinë ka mbajtur të enjten mbledhjen e radhës, në të cilën e ka vlerësuar të qetë gjendja e sigurisë në këtë komunë.
Po ashtu, në këtë mbledhje është biseduar edhe për lirinë e lëvizjes, qentë endacakë, njerëzit që kërkojnë lëmoshë, sigurinë afër shkollave dhe për çështjet tjera që kanë të bëjnë me sigurinë.
Komandanti i Stacionit të Policisë në Klinë, toger Rexhë Berisha, ka bërë me dije se në tre muajt e fundit ka pasur 81 raste të natyrave të ndryshme, prej tyre 27 aksidente. “17 persona janë ndaluar, ndërsa 71 janë arrestuar. Janë konfiskuar 4 armë pa leje dhe municion. Krahasuar me vitin e kaluar, rastet e vjedhjeve kanë shënuar rënie. Kjo ka ardhur falë punës së Policisë së Kosovës dhe bashkëpunimit të mirë me institucionet lokale dhe qytetarët”, ka thënë Berisha.
Ndërsa kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka bërë thirrje për më shumë punë në krijimin e sigurisë për të gjithë qytetarët. “Ka disa raste të rralla të vjedhjeve në prona të të gjitha komuniteteve, por policia është duke e kryer punën e vet”, ka thënë Elezaj.
Kryetari Elezaj ka bërë me dije për trajtimin e qenve endacakë është ndarë një fond prej 1.6 milion euro nga Qeveria e Kosovës.