Gjendja e sigurisë në Mitrovicë, e qetë
Përfaqësuesi i stacionit jugor të policisë në Komunën e Mitrovicës, Qazim Ahmetaj, ka thënë situata në këtë qytet është e qetë.
Në mbledhjen e rregullt të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), e cila është drejtuar nga nënkryetari i komunës Faruk Mujka, Ahmetaj ka folur edhe për riintegrimin e të kthyerve nga Siria dhe Iraku dhe familjarëve e tyre.
Ai ka thënë këta persona janë larguar nga Kosova më shumë për shkaqe ekonomike, për të shtuar se ata persona nuk paraqesin ndonjë rrezik për vendin tonë.
Ahmetaj ka thënë se këta persona kanë dalë më shumë duke menduar se do të gjejnë një jetë më të mirë.
Shqipe Mjekiqi, konsulente në ATRC, para të pranishmëve ka folur për projektin për të cilin parashihet të sigurohen 2.5 milionë dollarë me qëllim të bashkëpunimit me personat të cilët janë kthyer nga Siria dhe Iraku, në mënyrë që të parandalohet ekstremizmi dhe radikalizmi.
Ajo ka thënë se që në qytetin e Mitrovicës janë 39 persona, në mesin e tyre ka edhe gra e fëmijë, që kanë shkuar në këto shtete.
Të gjithë anëtarët e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi ishin të pajtimit që këtyre personave t’u krijohen vende të punës në mënyrë që të kenë një jetë më të mirë, dhe të integrohen në shoqëri.