
Gjendja emergjente me mbeturina në Prishtinë, Brestovci thotë që zgjidhja e vetme mbetet kontraktimi i operatorëve privat
Në kryeqytet, vazhdon të jetë në fuqi gjendja emergjente për grumbullimin dhe menaxhimin e mbeturinave.
Drejtori i Shërbimeve Publike në kryeqytet, Bekim Brestovci, në një intervistë për “Telegraf”-in ka deklaruar se që nga shpallja e gjendjes emergjente, Ndërmarrja “Pastrimi” nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të përmirësuar situatën e krijuar.
Sipas Brestovcit, zgjidhja e vetme mbetet kontraktimi i operatorëve privatë për menaxhimin e mbeturinave.
Ai gjithashtu bëri të ditur se, me një procedurë të përshpejtuar, do të mundohen të kontraktojnë kompanitë private.
“Natyrisht kemi pas dëshirë që Ndërmarrja “Pastrimi” ta merr veten, t’i merr në funksion edhe kamionët e ri, edhe kontenjerët të bëjë shpërndarjen e tyre, t’i përvishet punës dhe ta eliminoj një gjendje të krijuar. Mirëpo meqenëse po shihet që suksesi po mungon, atëherë natyrisht që ne sot veç do i drejtohemi KRPK-së me një kërkesë që konform kësaj situate të krijuar, me këtë gjendje emergjente mos-përmirësimi të gjendjes që dy javë, të kemi mundësi që në një procedurë të përshpejtuar të zgjedhim një apo dy operatorë ekonomikë. Të cilët do i përveshin punës dhe do ia kthejnë prapë kryeqytetit gjendjen e pastër. Po, kjo është e vetmja zgjidhje, sepse ndërmarrja “Pastrimi” as për së afërmi nuk është në mundësi për ta ofruar shërbimin e dëshiruar”, theksoi ai.
Brestovci po ashtu u zotua se punëtorët e ndërmarrjes “Pastrimi” nuk do të preken nga ky vendim, duke sqaruar se ata do të angazhohen me punë tjera për mirëmbajtjen e hapësirave publike.
“Ne ndërmarrjes “Pastrimi” i kemi dhënë garancë si unë, si kryetari i kryeqytetit, edhe Sindikatës së Punëtorëve, edhe kryeshefit dhe të gjithë punëtorëve me të cilët kemi pas mundësi të komunikojmë që dhënia e disa lotëve ndërmarrje private për ofrimin e shërbimeve të grumbullimeve të mbeturinave nuk nënkupton mbetjen pa punë të punëtorëve të ndërmarrjes “Pastrimi”. Sepse ne të gjithë këta punëtorë do i pajisim pastaj me kontrata shtesë për pastrim, mirëmbajtje të hapësirave publike të cilat kanë nevojë për trajtim. Për këtë edhe kanë qenë të dedikuar pastaj këta dy kamionë, të cilët ne për momentin akoma nuk ia kemi kalu ndërmarrjes së “Pastrimit”, sepse janë të dedikuar për kontrata të veçanta të cilat mendojmë edhe ashtu ashtu t’i realizojmë”, theksoi mes tjerash ai.
Brestovci deklaroi se me kontraktimin e operatorëve privat, kryeqytetit do t’i rikthehet pastërtia.
“Mirëpo, përderisa kryeqyteti ka nevojë për së paku pesëdhjetë kamionë për ta mbajtur pastër dhe për ta shkurtu kohën e operimit, sepse ne duam që Prishtina të pastrohet mes orës tre dhe gjashtë të gjysmë të mëngjesit e jo të mbesim kamionët në lëvizje prej mëngjesit deri në ndërrimin e natës. Kemi nevojë, siç thashë, për pesëdhjetë kamionë dhe këta pesëdhjetë kamionë ndërmarrja “Pastrimi” nuk ka dhe nuk do të ketë mundësi t’i sigurojë”, deklaroi ai.
Drejtori i Shërbimeve Publike shtoi tutje se “nuk mbetet gjë tjetër, përveç që të krijojë mekanizëm shtesë përmes kontraktimit të operatorëve ekonomikë privatë dhe e rëndësishmja krejt kësaj është që do e kemi kryeqytetin skajshmërish të pastër. Ndoshta do kemi mundësi deri në fund të vitit 2025 ta rendisim Prishtinën në njërin ndër kryeqytetet më të pastra në rajon, po njëkohësisht kemi garancë të plotë që të gjithë punëtorët e ndërmarrjes pastrimit, të cilët mund ta atakohen nga ky veprim, sistemohen në kontrata tjera”.
Që punëtorët e “Pastrimit”, nuk do të mbesin pa punë, thotë se është zotuar edhe kryetari i Prishtinës, ndërsa ritheksoi edhe njëherë se kjo ndërmarrje nuk është e interesuar për përmirësimin e gjendjes.
Gjendja emergjente me mbeturina ka vazhduar që dy javë, e po ashtu nuk kanë munguar as akuzat ndërmjet komunës dhe ndërmarrjes “Pastrimi”.