Gjendja me Covid në Malishevë është në kontroll

02 nëntor 2020 | 13:02

Gjendja me Covid-19 në Komunën e Malishevës është në kontroll dhe momentalisht janë 18 raste aktive.

Pavarësisht kësaj, kjo komunë ka filluar që krahas masave të mëhershme të zbatojë edhe vendimin e fundit të qeverisë për masat shtesë mbrojtëse. Kjo është bërë me dije në mbledhjen e Këshillit të Drejtorëve, të drejtuar nga nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha.

Nënkryetari Berisha ka kërkuar nga të gjitha drejtoritë që të punojnë me staf të reduktuar, përkatësisht personat e vjetër dhe personat me sëmundje kronike të lirohen përkohësisht, si dhe ka kërkuar që të reduktohet puna me palë, përjashtuar rastet e domosdoshme, por puna të vazhdoj normalisht.

Ndërsa drejtori për Shëndetësi, Liridon Hoti, ka bërë me dije në QKMF-në e Malishevës është rritur numri i pacientëve, si dhe ka parashtruar nevojën e rritjes së numrit të punëtorëve shëndetësorë, edhe pse janë duke u kryer të gjitha shërbimet.

Edhe në fushën e arsimit, drejtori komunal për Arsim dhe Edukim, Blerim Thaçi, ka bërë me dije se procesi mësimor është duke vazhduar normalisht dhe në rastet kur mësimdhënësit duhet të izolohen për shkak të kontakteve me rastet aktive me Covid, ata zëvendësohen.

Ndërsa drejtori i Inspektoratit, Dibran Kastrati, ka treguar se kanë marrë vendimin e qeverisë për masat shtesë dhe inspektorati do të jetë në vazhdimësi në terren për zbatimin e këtyre masave.

Ai ka theksuar se deri më tani janë proceduar më shumë se pesëqind lëndë për gjykatë, për rastet e moszbatimit të masave nga ana e subjekteve afariste apo qytetarëve.

Në anën tjetër, drejtoresha e Administratës, Besartë Kryeziu-Ramaj, ka thënë se janë duke u kryer të gjitha shërbimet në komunë, ndërsa drejtori i Shërbimeve Publike, Milazim Morina, ka njoftuar se janë duke u kryer të gjitha shërbimet komunale, si furnizimi me ujë dhe grumbullimi i mbeturinave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Gjakovës ka njoftuar se kanë filluar punimet për…