Gjendja me Covid, SBAShK-u nis vizitat në institucionet arsimore
Për të parë nga afër gjendjen aktuale të institucioneve arsimore në tërë Kosovën, përfaqësuesit e SBAShK-ut Rrahman Jasharaj, koordinatori për organizim të brendshëm Ymer Ymeri dhe zyrtari ligjor Blendor Shatri e kanë nisur me agjendën e vizitave nëpër komunat e Kosovës.
Vizitën e parë e kanë bërë në Komunën e Skenderajt dhe fillimisht kanë zhvilluar një bashkëbisedë me drejtorin e arsimit Bekim Latifi dhe kryetarin nivelit komunal sindikal Ramiz Polaci për t’u informuar për gjendjen aktuale dhe rrjedhën e procesit mësimor në institucionet arsimore këtu.
Ata pastaj bashkërisht janë takuar me kryetarin e Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari.
Kryetari i SBAShK-ut Rrahman Jasharaj ka falënderuar kryetarin e Skenderajt për gjithë angazhimet në shërbim të arsimit dhe plotësimit të kërkesave për punëtorët arsimor që dalin nga Kontrata Kolektive e Arsimit të Kosovës. “Agjendën e vizitave nëpër komuna e kemi nisur këtu për të shprehur respektin për përkushtimin e angazhimin e vazhdueshëm në shërbim të arsimit te drejtorit të DKA-së së Skenderajt Bekim Latifi, të kryetarit të nivelit sindikal komunal Ramiz Polaci, por për të shprehur respekt meritor edhe për ju”, është shprehur në fillim të takimit me kryetarin Bekim Jashari, kryetari i SBAShK-ut, duke shtuar se po ndjehen krenar që po takohen e po bashkëbisedojnë lirshëm me një pjesëtar të familjes emblemë për gjithë shqiptarët.
Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari ka shprehur respekt për angazhimet e SBAShK-ut dhe ka vlerësuar lart edhe bashkëpunimin në shërbim të arsimit të nivelit komunal të SBAShK-ut me DKA-në dhe me institucionet tjera në këtë komunë. Në kuadër të kësaj bashkëbisede është vlerësuar se në Skenderaj është gjendja stabile edhe në procesin mësimor.
Përfaqësuesit e SBAShK-ut bashkë me drejtorin e DKA-së dhe kryetarin e nivelit komunal sindikal, kanë vizituar shkollën e cila mban me krenari emrin e mësuesit dhe heroit të kombit Shaban Jashari.