Gjendja me ethe hemorragjike është e qetë në Malishevë
Situata e Epidemiologjike me Ethet Hemorragjike Krime Kongo (EHKK) në Komunën e Malishevës është e qetë dhe nën kontroll. Deri më tani nuk është shënuar asnjë rast i infeksionit me virusin e EHKK, mirëpo shqetësuese për organet përgjegjëse komunale, është ndërprerja e fushatës së repelimit të kafshëve, e cila është masa më efikase në luftimin dhe parandalimin e EHKK.
Kështu ka deklaruar nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, i cili edhe e drejton shtabin komunal për menaxhimin e situatës me EHKK, pas vizitës që ka bërë Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në këtë komunë, së bashku me drejtorin për Shëndetësi, Liridon Hoti, ku janë njoftuar me gjendjen e rasteve të thumbuara nga rriqrat.
Berisha ka bërë me dije se bazuar në të dhënat e QKMF-së në Malishevë dhe të Klinikës Infektive në Prishtinë, deri më tani asnjë rast nga Malisheva nuk është regjistruar i infektuar me virusin e EHKK. “Ky është viti i pestë me radhë që nuk ka raste të infektimit nga ky virus”, ka thënë ai.
Pavarësisht kësaj, ai ka thënë repelimi i kafshëve mbetet shqetësim për Komunën e Malishevës.
Në Komunën e Malishevës deri më sot janë thumbuar nga rriqrat 969 persona të cilët janë trajtuar në QKMF në Malishevë.
/Epoka e re/