Gjendja në Kosovë mund të ndryshojë nëse kryeministri vjen nga Vetëvendosja
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Lajçi, ka treguar se parimisht janë pro bashkëpunimin me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Ai ka thënë se posti i kryeministrit duhet t’i takojë subjektit i cili merr numrin më të madh të votave në zgjedhje.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Lajçi ka thënë se gjasat janë që Lëvizja Vetëvendosje të dalë subjekti i parë politik.
“Në parim po, derisa të hyjmë në vota. Kur të futemi në vota secili duhet ta pranojë votën reale. Pra, kush të dalë i pari i takon posti i kryeministrit. Gjasat janë që ne të jemi parti e parë dhe ta kemi kryeministrin. Kjo është edhe në interes të Kosovës”, ka thënë Lajçi.
Ai ka deklaruar se ndryshimet në Kosovë janë të mundshme vetëm nëse kryeministri është i Vetëvendosjes.
Sipas tij, nëse LDK-ja del subjekti i parë politik është rrezik që ajo të shkojë në bashkëqeverisje me PDK-në.
“Elektorati duhet të votojë për Vetëvendosjen që të dalë e para si subjekt politik, sepse e merr LDK-në. Kurse, nëse del e para LDK-ja është rrezik që të shkojë me PDK-në, prandaj votuesit duhet të kenë kujdes”, është shprehur ai.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se zgjedhjet e parakohshme nuk duhet të shtyhen më shumë se në muajin shtator.
“Kryetari i Republikës ka të drejtë kushtetuese ta bëjë një propozim për një mandat të ri nëse ka konsensus dhe i votohet në Kuvend. Përndryshe, zgjedhjet janë në rend dhe nuk ka shpëtim. Ato duhet të mbahen sa më shpejt. Mbajtja e zgjedhjeve nuk duhet të shtyhet më shumë se në muajin shtator”, ka thënë Lajçi.
“Epoka e re”: Z. Lajçi, kryeministri Haradinaj ka dhënë dorëheqje për shkak të ftesës që ka marrë nga Gjykata Speciale. A ka vepruar në mënyrën e duhur?
Lajçi: Shumë është kompleksive kjo. Varet se si e trajtojnë njerëzit këtë veprim. Në nivel të parë, sipas meje, është se kur ka hyrë në atë firmë administrative si kryeministër i PAN-it ai ka qenë i dështuar. Qysh në fillim të mandatit e ka miratuar demarkacionin me Malin e Zi, të cilin e ka kundërshtuar dikur. Dhe, siç dihet, kjo marrëveshje është një demilitim i ri i kufirit me Malin e Zi, duke e rrudhur territorin e Kosovës. Faktikisht, qysh atëherë kur Kuvendi me 80 vota e ka ratifikuar këtë marrëveshje e cila përcakton një vijë të re kufitare ka rënë edhe Kuvendi i Kosovës. Ndërsa, siç e dimë, Ramushi sa ishte në opozitë ka qenë premtues i madh për të mos u miratuar ajo marrëveshje, pastaj kur erdhi në pushtet e votoj të njëjtin projekt me deklarata të Thaçit dhe jo të vetat. Në këtë mënyrë Haradinaj ia ka zgjatur jetën edhe Hashim Thaçit. Edhe qeverisja e tij ka qenë skandaloze dhe me defekte të mëdha, duke filluar prej ndarjes së buxhetit, rritjes së pagës për vete dhe mosliberalizimit të vizave. Pastaj formimi i ekipit negociator që ishte antikushtetues, të cilin, si të tillë, e deklaroj vetë Gjykata Kushtetuese. Mendoj se me vendimin e Kushtetueses për këtë ekip ka rënë qeveria dhe presidenti, i cili për këshilltar ka pasur njeriun e UDB-së. Me këtë rast, ai e ka pranuar fajin sepse e ka shkarkuar atë këshilltar të UDB-së. Këto janë gjëra skandaloze. Madje, ky president e ka vendosur territorin e Kosovës në pazar. Në këtë mandat qeverisës ka vazhduar degradimi institucional në të gjitha fushat. Prandaj, Kosova duhet të zgjedhë që të bëjë ndryshime përmes votës së lirë. Nuk mund të durohen më këto keqmenaxhime.
“Epoka e re”: Në ditën që ka dhënë dorëheqje Haradinaj, ai e ka formuar trupën punuese për rishikimin dhe korrektimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Si e keni parë këtë veprim të tij?
Lajçi: Kanë pushuar ato, sepse kryeministri ka dhënë dorëheqje. Tani gjithçka është jashtë funksionit të tyre. Këtë veprim ky nuk e ka bërë me kohë, madje e ka votuar projektin e Thaçit për demarkacionin.
“Epoka e re”: Kur mendoni se është koha më optimale që të mbahen zgjedhjet e parakohshme?
Lajçi: Kryetari i Republikës ka të drejtë kushtetuese ta bëjë një propozim për një mandat të ri nëse ka konsensus dhe i votohet në Kuvend. Përndryshe, zgjedhjet janë në rend dhe nuk ka shpëtim. Ato duhet të mbahen sa më shpejt. Mbajtja e zgjedhjeve nuk duhet të shtyhet më shumë se në muajin shtator.
“Epoka e re”: Si mendoni se do të dalë Lëvizja Vetëvendosje në këto zgjedhje?
Lajçi: Ndryshime në Kosovë mund të bëjë vetëm projekti i Lëvizjes Vetëvendosje. PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja deri më tani kanë administruar me një model dështues. Isa Mustafën e ka rrëzuar Kuvendi. Ramushi është tërhequr për shkak të krizës së vet të brendshme dhe problemeve të tjera, ndërkaq PDK-ja ka mbetur duke kalkuluar çdoherë në interes të vetin. Faktikisht ky subjekt politik ka rënë dhe duhet të bjerë edhe më tutje. Në këtë mënyrë e vetmja alternativë logjike, programore dhe juridike mbetet Lëvizja Vetëvendosje, sepse ka një program dallues prej subjekteve të tjera politike dhe ende nuk është provuar qeverisja e saj. Prandaj, populli i Kosovës duhet ta votojë këtë lëvizje dhe të shohim se çka mund të bëjmë, me gjithë vështirësitë që kanë me qenë të shumta në menaxhim dhe në ristrukturim. Bile duhen edhe ndryshime kushtetuese, sepse kjo Kushtetutë nuk e lejon sovranitetin e plotë të republikës.
“Epoka e re”: Tanimë janë shtuar përpjekjet për një bashkëpunim në mes të LDK-së dhe LV-së. Sa është i mundshëm një bashkëpunim i tillë, meqenëse ju dikur keni qenë pjesë e LDK-së?
Lajçi: Për shkak të interesit të vendit ne do të gjejmë të gjitha mundësitë që të bashkëpunojmë dhe ta ndryshojmë gjendjen që Kosova të shkojë drejt një shteti ligjor pa të cilin nuk mundemi. Tani LDK-ja i ka zgjedhjet e brendshme dhe të shohim se kush po fiton. Pra, në parim jemi për bashkëpunim.
“Epoka e re”: Por të dy partitë po pretendojnë ta marrin postin e kryeministrit. A mund të arrihet një kompromis për këtë çështje?
Lajçi: Ne mendojmë se ndryshimet mund të vijnë vetëm nëse Lëvizja Vetëvendosje ka postin e kryeministrit. LDK-ja ende nuk ka program dallues prej partive të tjera. Gjendja në Kosovë mund të ndryshojë vetëm nëse kryeministri vjen nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Epoka e re”: Pra, ju mund të bashkëpunoni me LDK-në vetëm nëse ju jepet posti i kryeministrit?
Lajçi: Në parim po, derisa të hyjmë në vota. Kur të hyjmë në vota secili duhet ta pranojë votën reale. Pra, kush të dalë i pari i takon posti i kryeministrit. Gjasat janë që ne të jemi parti e parë dhe ta kemi kryeministrin. Kjo është edhe në interes të Kosovës.
“Epoka e re”: Mirëpo deri më tani kemi parë disa raste që postin e kryeministrit e kanë marrë edhe partitë që nuk kanë dalë të parat?
Lajçi: Rregull kushtetues është që partia e parë ta marrë këtë post. Ekziston edhe mundësia e marrëveshjeve që partia e parë nuk e merr postin e kryeministrit, por ia jep të dytës apo të tretës, varësisht se si janë marrë vesh. Shembull kështu ka ndodhur kur PDK-ja ia ka dhënë këtë post Isës.
“Epoka e re”: Pra, nuk e shihni ndonjë problem që të bashkëpunoni me LDK-në edhe nëse nuk e merrni postin e kryeministrit?
Lajçi: Elektorati duhet të votojë për Vetëvendosjen që të dalë e para si subjekt politik, sepse e merr LDK-në. Kurse nëse del e para LDK-ja atëherë është rrezik të shkojë me PDK-në, prandaj votuesit duhet të kenë kujdes.
Muhamet KOCI