Gjendja nuk është e mirë në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit

03 prill 2019 | 13:45

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), Shaip Havolli, ka thënë se në Kosovë ekziston një gjendje jo e mirë sa i përket parandalimit dhe luftimit të korrupsionit, sidomos të nivelit të lartë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se nuk i ka habitur as konstatimi i raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit se Kosova ka ngecur në luftimin e kësaj dukuri.

“Sa i përket raportit të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, lidhur me faktin se Kosova ka ngecur në aspekt të luftimit të korrupsionit, mund të them se nuk jemi të habitur nga ky fakt apo konstatim në këtë raport, pasi ekzistojnë mekanizma të shumtë që vlerësojnë shkallën e korrupsionit në vendin tonë qoftë nga ne si agjenci, institucione të tjera publike, shoqëria civile dhe vlerësime të tjera nga jashtë duke konstatuar një gjendje jo të mirë sa i përket parandalimit dhe luftimit të korrupsionit, me theks të veçantë korrupsionin e nivelit të lartë dhe pandëshkueshmërisë, si dhe nivelin e ulët të sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë së krijuar në mënyrë të kundërligjshme”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, Havolli ka thënë se Agjencia Kundër Korrupsionit është duke e kryer punën e vet dhe, sipas tij, mbi 100 raste janë duke u trajtuar për korrupsion.

“Ndërsa sa iu përket rasteve të trajtuara për korrupsion gjatë tremujorit të këtij viti, sipas statistikave që ka Agjencia, ekzistojnë mbi 100 raste të cilat janë në procedurë trajtimi në Agjenci. Vlen të theksohet se vetëm në vitin e kaluar kemi ushtruar mbi 105 kallëzime penale ndaj më shumë se 120 personave, pesë informata janë përcjellë në Policinë e Kosovës, tri informata janë përcjellë në Prokurorinë e Shtetit, një informatë është përcjellë në Administratën Tatimore të Kosovës”, është shprehur Havolli, duke paralajmëruar se do të ketë zgjerim të kompetencave dhe forcim të rolit të AKK-së në luftimin e korrupsionit.

Ai ka mohuar që të ketë presion nga politika në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Havolli është shprehur i kënaqur me mbështetjen e institucioneve në betejën për ta luftuar korrupsionin. “Asnjëherë nuk do të thosha presion, mirëpo mbështetje, pasi që luftimi i korrupsionit është mision i përbashkët i të gjitha institucioneve tona qoftë nga Qeveria, Kuvendi apo institucionet e tjera të zbatimit të ligjit. Ne vazhdimisht kemi pasur dhe kemi përkrahje në çdo aspekt, nga të gjitha institucionet vendimmarrëse”, ka theksuar Havolli.

“Epoka e re”: Z. Havolli, të hënën ka përfunduar afati për deklarimin e pasurisë së zyrtarëve publikë. Si ka shkuar ky proces? E kanë deklaruar pasurinë të gjithë zyrtarët që kanë qenë të obliguar ta bëjnë një gjë të tillë?
Havolli: Procesi i deklarimit ka shkuar në rregull dhe ka përfunduar më 1 prill pasi data 31 mars i ka rënë të jetë ditë fundjave. Prandaj, në bazë të ligjit, afati është shtyrë edhe për një ditë, pra më 1 prill.

“Epoka e re”: Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) a do ta verifikojë pasurinë e këtyre zyrtarëve të cilët, mbase, edhe mund të mos e thonë të vërtetën?
Havolli: Agjencia Kundër Korrupsionit do ta bëjë verifikimin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publikë sipas legjislacionit, e që këtij verifikimi i nënshtrohet 20 për qind e listës së përgjithshme të zyrtarëve të lartë. Mirëpo ky numër mund të rritet në rast të denoncimeve nga subjektet e tjera kur ka dyshime të arsyeshme për deklarim të rremë.

“Epoka e re”: Z. Havolli, të gjithë në Kosovë flasin për luftimin e krimit dhe korrupsionit, por në praktikë qytetarët nuk po i shohin rezultatet e duhura. Madje në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit është thënë se Kosova ka frenuar sa i përket luftimit të korrupsionit. Çfarë është duke bërë në këtë drejtim Agjencia të cilën e drejtoni?
Havolli: Sa i përket raportit të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, lidhur me faktin se Kosova ka ngecur në aspekt të luftimit të korrupsionit, mund të them se nuk jemi të habitur nga ky fakt apo konstatim në këtë raport, pasi ekzistojnë mekanizma të shumtë që vlerësojnë shkallën e korrupsionit në vendin tonë qoftë nga ne si agjenci, institucione të tjera publike, shoqëria civile dhe vlerësime të tjera nga jashtë duke konstatuar një gjendje jo të mirë sa i përket parandalimit dhe luftimit të korrupsionit, me theks të veçantë korrupsionin e nivelit të lartë dhe pandëshkueshmërisë, si dhe nivelin e ulët të sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë së krijuar në mënyrë të kundërligjshme. Ndërsa sa i përket çështjes tjetër, se çka është duke bërë Agjencia Kundër Korrupsionit në këtë drejtim, Agjencia konform mandatit ligjor që ka ushtron kompetencat e veta të përcaktuara me ligj në aspekt të parandalimit të rasteve të konfliktit të interesit, mbikëqyrjes së procesit të deklarimit të pasurisë dhe dhuratave, parandalimit të korrupsionit në prokurimin publik, si dhe në raste të dyshuara për korrupsion parashtron kallëzime penale në prokuroritë themelore si dhe, në rast të shkeljeve administrative, parashtron kërkesa për fillim të procedurës disiplinore.

“Epoka e re”: Sa i përket luftimit të korrupsionit, AKK-ja si institucion a e arsyeton funksionimin e mëtutjeshëm?Mund të na tregoni se sa raste janë trajtuar në këtë tremujor të këtij viti për korrupsion?
Havolli: Sa i përket arsyetimit të funksionimit të mëtutjeshëm të Agjencisë në aspekt të luftimit të korrupsionit, duhet theksuar një gjë shumë me rëndësi se aktualisht është duke u punuar në zgjerimin e kompetencave dhe në forcimin e rolit dhe rëndësisë së Agjencisë si organ i pavarur dhe i specializuar për zbatimin e politikave shtetërore në luftën kundër korrupsionit. Së fundmi duhet përmendur Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve i cili, në dispozitat që përmban, konsiderohet si një segment kundërkorrupsioni shumë me rëndësi dhe i cili ndikon në fuqizimin e rolit dhe rëndësisë së Agjencisë, si një nga mekanizmat mjaft të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit. Ndërsa sa iu përket rasteve të trajtuara për korrupsion gjatë tremujorit të këtij viti, sipas statistikave që ka Agjencia, ekzistojnë mbi 100 raste të cilat janë në procedurë trajtimi në Agjenci. Vlen të theksohet se vetëm vitin e kaluar kemi ushtruar mbi 105 kallëzime penale ndaj më shumë se 120 personave, pesë informata janë përcjellë në Policinë e Kosovës, tri informata janë përcjellë në Prokurorinë e Shtetit, një informatë është përcjellë në Administratën Tatimore të Kosovës. Për më tepër hollësi, sa iu përket statistikave të rasteve të trajtuara, mund t’i gjeni në Raportin Vjetor të Punës për vitin 2018 i cili është i publikuar në uebfaqen e Agjencisë.

“Epoka e re”: Keni presion nga politika për luftimin e kësaj dukurie apo e keni mbështetjen e duhur të Qeverisë dhe Kuvendit në këtë betejë të rëndësishme për vendin?
Havolli: Asnjëherë nuk do të thosha presion, mirëpo mbështetje, pasi që luftimi i korrupsionit është mision i përbashkët i të gjitha institucioneve tona qoftë nga Qeveria, Kuvendi apo institucionet e tjera të zbatimit të ligjit. Ne vazhdimisht kemi pasur dhe kemi përkrahje në çdo aspekt, nga të gjitha institucionet vendimmarrëse, Ministria e Drejtësisë, Kuvendi dhe Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit qoftë në krijimin e infrastrukturës ligjore si dhe në shumë aspekte të tjera bashkëpunimi dhe bashkëveprimi, me qëllim që të arrihen rezultate më të mira.

“Epoka e re”: Jeni të kënaqur me nivelin e bashkëpunimit të AKK-së me prokurorinë dhe gjykata si institucione përgjegjëse për luftimin e korrupsionit? Do të ketë ndonjë strategji apo shtim të masave në luftimin e korrupsionit?
Havolli: Ekziston një nivel i kënaqshëm i bashkëpunimit në mes të Agjencisë dhe institucioneve të zbatimit të ligjit dhe organeve të tjera si: prokurorin, policinë, gjykatat dhe institucioneve të tjera. Informacionet kthyese si dhe komunikimi i lehtësuar në fazat e hetimeve, së bashku me shkëmbimin e informacioneve dhe dokumentacionit, kanë ndikuar në rritjen e cilësisë së bashkëpunimit reciprok në mes të organeve të zbatimit të ligjit dhe organeve gjyqësore. Ky nivel bashkëpunimi gjatë gjithë kohës është duke u avancuar. Bashkërisht si institucione të zbatimit të ligjit jemi duke bërë përpjekje të vazhdueshme që niveli ndërinstitucional i bashkëpunimit të forcohet dhe në të ardhmen të tejkalohet si sfidë në mes nesh.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
E gjithë vëmendja sot ishte tek ai dhe Mick Schumacher…