Gjendja shëndetësore e Peles po përmirësohet
Mjekët kanë konfirmuar se gjendja e legjendës braziliane Pele është duke u përmirësuar.
82-vjeçari Pele është shtruar në spital tash e një javë për të trajtuar një infeksion respirator të rënduar nga Covid-19. Ai pritet të largohet nga spitali kur të shërohet plotësisht nga infeksioni.
“Ai ka shenja të qëndrueshme jetësore, është i vetëdijshëm dhe pa komplikime të reja”, thuhet në njoftimin e spitalit Albert Einstein në Brazil.
Pele, tre herë fitues i Kupës së Botës, po lufton gjithashtu kancerin dhe po i nënshtrohet kimioterapisë. Në Katar, imazhi Peles duke festuar golat dhe duke ngritur trofe me kombëtaren e Brazilit u shfaq në bluzat, flamujt dhe pankartat e tifozëve brazilianë që ishin mbledhur të hënën përpara ndeshjes së Kupës së Botës kundër Koresë së Jugut.
Pele kishte thënë se do ta shikonte ndeshjen nga spitali. Brazili fitoi 4-1 për të kaluar në çerekfinale.