Gjeneral Brahimaj i kërkon ministrit Maqedonci që ta ndalë fushatën elektorale me ushtrinë
Ish-komandanti i UÇK-së, Lahi Brahimaj i ka bërë thirrje ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedoncit që të mos bëjë fushatë me ushtrinë e Kosovës.
Në një postim në Facebook, ish-deputeti i AAK-së, e ka pyetur ministrin për kualitetin e çizmeve dhe uniformave të ushtarëve të Kosovës.
“Ministër Maqedonci, me Ushtrinë është e rëndësishme të mos bëni fushatë elektorale. Pra, lejeni Ushtrinë jashtë fushatës”, ka shkruar Brahimaj.
“Dhe, nëse doni të silleni kështu sikurse deri tash, atëherë – sa për fillim – përgjigjuni vetëm në dy pyetje fort të lehta:
A kanë çizme dhe uniforma kualitative kadetët, ushtarët, nën-oficerët dhe oficerët? Pra, çfarë kualiteti janë? 2. Nëse për gati 4 vjet keni rekrutuar 1931 ushtarë/ushtarakë, na thuani numrin e saktë sa është numri i ushtarëve, nën-oficerëve dhe oficerëve që e kanë lëshuar (janë demonilizuar) FSK-në nga 25 marsi 2021 deri më 15 gusht 2024? (Na thuani saktë, sepse numrin mund ta kërkojmë edhe përmes Ligjit për Qasje në Dokumente Zyrtare) Kaq për fillim. Pra, vetëm dy pyetje!”, ka shkruar ai.