Gjeneral Brahimaj: Prania juaj është një kujtesë e fuqishme e së kaluarës së lavdishme të UÇK-së
Sot në Kompleksin Memorial Dëshmorët e Kombit në Shqiponjë (Jabllanicë e Dushkajës), është mbajtur manifestimi në nderim të 41 heronjëve të rënë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Organizatori i këtij manifestimi, gjenerali Lahi Brahimaj ka falënderuar të gjithë qytetarët të cilët me pjesëmarrjen e tyre në Shqiponjë të Dushkajës, kanë nderuar dëshmorët dhe martirët e rënë gjatë luftës për çlirimin e fshatit legjendar të Dushkajës.
Postimi i plotë i Brahimajt:
Sot u mblodhëm në përkujtimin solemn të 24 vjetorit të Çlirimit të Shqiponjës nga zgjedha e pushtimit jugosllav. U përulëm për nder të 41 shpirtrave të guximshëm që bënë sakrificën përfundimtare për lirinë tonë. Ata nuk janë vetëm dëshmorët e martirët tanë, por janë heronjtë tanë, të cilët do të kenë përgjithmonë një vend të veçantë në zemrat dhe historinë tonë.
Gjithashtu sot e festuam edhe triumfin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, triumf ky që dëshmon për shpirtin e paepur të popullit tonë dhe premton për një të ardhme të ndritur për Atdheun.
Dua të shpreh mirënjohjen time të përzemërt:
– Për secilin prej jush që gjetët kohë për të qenë sot këtu dhe për të marrë pjesë në këto aktivitete të rëndësishme përkujtimore. Prania juaj është një kujtesë e fuqishme e bashkimit dhe orientimit kombëtar, në kujtim të së kaluarës së lavdishme.
– Të rinjtë dhe të gjithë banorët e Shqiponjës, që punuan pa u lodhur për organizimin e aktiviteteve të sotme. Përkushtimi juaj për të ruajtur historinë tonë dhe për të nderuar heronjtë tanë është vërtet frymëzues.
Sot kujtojmë. Sot nderojmë. Sot jemi të bashkuar.
Me respekt, Gjeneral Lahi Brahimaj
Përkujtohen dëshmorët dhe martirët në Shqiponjë të Dushkajës së Gjakovës