Gjeneral Fadil Hadërgjonaj i bashkohet e LDK-së
“Mirë se vjen, Gjeneral! Gjeneral Fadil Hadërgjonaj, nga sot është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. ‘Bjeshka’ siç e thërrasin shokët e luftës, është një prej figurave më të shquara e të njohura në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Fadili shkollimin e kreu në vitin 1989, në Akademinë Ushtarake të ish APJ-së, në drejtimin ‘Mbrojtja e Hapësirës Ajrore’, për të vazhduar më pas në Shkollën Komando Shtabore në vitin 2008. Ndërsa vazhdoi shkollimin në Akademinë për Mbrojtje në Britaninë e Madhe gjatë viteve 2011 – 2015. Në vitin 2018 magjistroi në Shkencat e Sigurisë në Prishtinë”, ka shkruar në “Facebook” kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Abdixhiku ka theksuar se gatë karrierës së tij ushtarake, Fadil Hadërgjonaj ka treguar një përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj detyrave të tij, duke shërbyer në pozita të larta komanduese dhe udhëheqëse në Forcat e Armatosura të Kosovës.
“Ai me shumë përkushtim udhëhoqi Brigadën 138 “Agim Ramadani”, në vitin 1999 dhe shumë brigada tjera gjatë luftës së fundit në Kosovë. Po ashtu udhëhoqi Departamentin e Hulumtimeve/ Komanda e Doktrinës dhe Trajnimit në TMK; ishte shef i sektorit të Stërvitjeve dhe Ushtimeve në MFSK; dhe udhëhoqi Komandën e Doktrinave dhe Stërvitjeve. Ishte Këshilltar Ushtarak; Komandant i Brigadës së Reagimit të Shpejtë si dhe Komandant i parë i Forcave Tokësore të Forcës”.
“Fadil Hadërgjonaj për kontributin dhe shërbimin e tij të jashtëzakonshëm në karrierë morri medaljen e shërbimit dhe medaljen e karierës nga Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës. Fadili është i martuar me Arbnoren dhe kanë tre fëmijë, vajzat Albanën dhe Arianën si dhe djalin, Gentin. Na priftë e mbara Gjeneral. Fadil Hadergjonaj Bjeshka”, ka shkruar Abdixhiku.