Gjeneral Kudusi Lame uron Bashkim Jasharin për marrjen e detyrës së komandantit të FSK-së
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, i shoqëruar nga zëvendësministri Shemsi Syla kanë pritur në takim ish-komandantin e Divizionit të Kukësit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSh), gjeneral Kudusi Lame.
Fillimisht, gjeneral Lame e ka uruar Jasharin për marrjen e detyrës së komandantit të FSK-së, duke shprehur besimin e plotë se me lidershipin e tij, FSK-ja do të ngrisë edhe më tutje nivelin e përgjegjësisë kushtetuese dhe ligjore si dhe avancimit të saj në ushtri me vlerat më të larta morale dhe kombëtare.
Nga ana e tij, gjenerallejtënant Bashkim Jashari e ka falënderuar gjeneral Lamën për urimet si dhe ka rikujtuar me pietet të lartë kontributin e tij si ushtarak dhe patriot si dhe gjithë vëllezërve dhe motrave të Republikës së Shqipërisë për mbështetjen e kauzës së lirisë dhe pavarësisë Kosovës.
Gjeneral Kudusi Lame të martën është takuar edhe me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Me këtë rast, ministri Mehaj i ka shprehur mirënjohje gjeneral Lamës për kontributin e madh të tij dhe gjithë ushtarakëve të FARSh, të angazhuar gjatë luftës për çlirimin e Kosovës.