Gjeneralë të Rusisë dhe NATO-s takohen në Baku
Shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë ruse, Valery Gerasimov, dhe komandanti suprem i NATO-s, Curtis Scaparrotti, u takuan në Baku të Azerbajxhanit.
“Ata biseduan për çështje që lidhen me aktivitetet ushtarake të NATO-s dhe Rusisë në Evropë, masat për ndërtimin e besimit dhe parandalimin e incidenteve”, është thënë në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes e Rusisë.
Takimi ka qenë i pari midis Gerasimovit dhe Scaparrottit qysh në vitin 2013.
Ministria ruse ka theksuar se Gerasimovi, gjatë qëndrimit në Baku, u prit edhe nga presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.
“Ilham Aliyev dhe Valery Gerasimov shkëmbyen mendime mbi bashkëpunimin tekniko-ushtarak mes Azerbajxhanit dhe Rusisë dhe mbi perspektivat e bashkëpunimit të mëtejshëm”, është thënë në një deklaratë të Presidencës së Azerbajxhanit.