Gjenerali amerikan: Duhet të analizohen rrugët për rritjen e kontakteve ushtarake ShBA-Rusi
Gjenerali ushtarak amerikan, Mark Milley, ka thënë se Shtetet e Bashkuara duhet të analizojnë mënyra për të zgjeruar kontaktet politike me Rusinë, si mënyrë për të rritur besimin dhe për të shmangur llogaritjet e gabuara.
Gjenerali Milley, njëherësh shef i shtabit të përgjithshëm, ka thënë se lejimi i vëzhguesve në stërvitjet luftarake të njëra-tjetrës, do të rriste transparencën dhe do të zvogëlonte rrezikun e konfliktit.
“Neve na duhet të zbatojnë politika dhe procedura për t’u siguruar se rrisim sigurinë, për ta shmangur pasigurinë, rrisim besimin për ta shmangur mosbesimin, rrisim stabilitetin për ta shmangur jostabilitetin, dhe për të shmangur llogaritjet e gabuara, si dhe mundësinë e një lufte me forcë të madhe”
“Kjo është gjë thelbësore që duhet ta bëjmë dhe unë do të tentoj ta realizoj këtë gjë, ka thënë Milley.
Milley i ka bërë këto komente më 23 shtator, pasi është takuar me homologun e tij rus, Gjeneralin, Valery Gerasimov, në Finlandë më 22 shtator.
Milley ka thënë se kontaktet ushtarake në mes të dyja fuqive aktualisht janë shumë të kufizuara.
Mirëpo ai ka thënë se ofrimi i mundësisë që shefat e shërbimeve ushtarake të krijojnë marrëdhënie më të fuqishme me homologët e tyre rusë, dhe vëzhgimi i stërvitjeve, janë ide që vlen të provohen.
Milley ka thënë mes tjerash me kontaktet mes ushtrisë me Rusinë, kanë funksionuar në të kaluarën për të shtensionuar situatat.
Pa dhënë detaje, ai ka thënë se, “ka pasur një mori incidentesh që kanë ndodhur mes nesh dhe rusëve në dy vjetët e fundit”, të cilat kanë nxitur thirrjet në mes të Milley dhe Gerasimov.
Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë rritur bashkëpunimin në sigurinë bërthamore dhe aspekte tjera të sigurisë, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, mirëpo marrëdhëniet janë tensionuar pasi Rusia dhe Gjeorgia kanë luftuar më 2008 dhe trupat ruse kanë mbetur në rajonet e Osetisë Jugore dhe Abhazisë.
Tensionet janë rritur sërish më 2014, kur Rusia ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe ushtria e saj ka intervenuar në lindje të Ukrainës.
Si përgjigje ndaj pushtimit të Krimesë, Kongresi amerikan ka kufizuar më 2016 bashkëpunimin ushtarak me Rusinë, duke ndaluar bashkëpunimin mes ushtrive, derisa Rusia t’i japë fund “pushtimit të territorit ukrainas” dhe “aktiviteteve agresive.