Gjenerali, Angelo Michele Ristuccia: Sot do të mbahej ditë zie për të vdekurit, po mos të ishte KFOR-i
Gjenerali i divizionit Angelo Michele Ristuccia, komandant i kontingjentit të KFOR-it, është ndoshta njeriu më i ngarkuar në Kosovë gjatë orëve të fundit.
Prej të hënës, telefoni i tij bie pa ndalur teksa shkon nga një takim në tjetrin në bazën e NATO-s në Prishtinë.
Rrëfimi i tij për gazetën italiane “La Repubblica” nis me garancinë se asnjë ushtar i lënduar i KFOR-it nuk gjendet në rrezik për jetën.
“Siç e dini, tridhjetë ushtarë të KFOR-it, 19 hungarezë dhe 11 italianë, pësuan një sulm frikacak gueril urban të hënën e 29 majit. U gjendem pranë tyre dhe familjeve të tyre. Nëntë nga italianët janë në strukturën spitalore të bazës Camp Villagio Italia, një është i shtruar në një strukturë në Prishtinë dhe një tjetër në Shkup. Mund të them se asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetën, do të shërohen shpejt”.
Ndërtesa komunale e Zveçanit u kthye në një sallë operative me një situatë jashtëzakonisht të paqëndrueshme, tregon Ristuccia.
Ai madje e përdor këtë term me vetëdije, kur përshkruan se si situata mund të ndryshojë papritur në një periudhë shumë të shkurtër kohore.
“Të hënën kisha paracaktuar një kontingjent të madh ushtarësh në katër komunat me shumicë serbe për përurimin e kryetarëve të komunave shqiptarë të Kosovës të zgjedhur së fundmi”, kujton ushtaraku italian.
I gjithë ky rrezik që nënvizon Ristuccia lidhej me faktin se kryeministri Albin Kurti vendosi të vazhdojë me inaugurimin pavarësisht protestave të serbëve dhe dyshimeve të bashkësisë ndërkombëtare.
“Kokëfortësia e autoriteteve vendore shqiptare për të mos vepruar sipas indikacioneve të marra nga partnerët perëndimorë, indikacione që shërbejnë për të lehtësuar dialogun veçanërisht në dritën e progresit të bërë me marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, ka dobësuar shumë ekuilibrin”, shteron ndër rreshta komandanti i kontigjentit të KFOR-it.
E këtu, ai ndalet për të shpenguar një citat që ndoshta do të mbetet epitafi i heroizmit të KFOR-it gjatë demonstratave të dhunshme në Zveçan.
“Për të qenë edhe më i saktë, them se nëse nuk jemi sot këtu për të mbajtur zi për të vdekurit në mesin e popullatës serbe apo në mesin e policëve shqiptarë, kjo është për shkak se KFOR-i ndërhyri dhe arriti të rivendosë qetësinë”, thekson me bindje Angelo Michele Ristuccia.
Gjenerali italian kujton edhe një moment të vështirë me 15 policë kosovarë, të cilët kishin mbetur të bllokuar brenda tre automjeteve të blinduara për orë të tëra.
“Protesta kishte dalë jashtë kontrollit të vetë demonstruesve serbë dhe po të kishte ndërhyrë policia kosovare situata do të përkeqësohej edhe më shumë. Ndaj ne ndërhymë, siç e kërkon rregullorja e angazhimit të mandatit tonë, për të lejuar largimin e tre automjeteve”, vijon ai në ritregimin e ngjarjeve të së hënës.
Pikërisht në këtë moment, sipas Ristuccia-s, janë goditur trupat paqeruajtëse me bomba letre që përmbanin copa hekuri dhe gozhdë, përzierje molotovi dhe madje edhe të shtëna nga armë zjarri.
Atë ditë në shesh, kishin mbërritur profesionistë të protestës që nxitën qëllimisht turmën, shton gjenerali italian. Në përmbyllje të intervistës, ai mbetet i palëkundur në qëndrimin e tij për mandatin e trupave të KFOR-it.
“Asgjë nuk ka ndryshuar për ne dhe asgjë nuk ka ndryshuar pas përleshjeve të 29 majit. Mandati i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbetet i pandryshuar. Dhe ne jemi gati për çdo rast”, garantoi komandanti i kontigjentit të KFOR-it.
Sa i takon pranisë së Brigadës Wagner në Kosovë, gjenerali italian siguroi se “deri më sot nuk ka asnjë dëshmi për praninë e tyre në këtë zonë”.