Gjenerali britanik që dikur shërbeu në Kosovë i bën thirrje ushtarëve: Përgatituni për Luftën e Tretë Botërore
Gjenerali i ri i lartë i ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar, Gjenerali Sir Patrick Sanders, i ka kërkuar çdo ushtari që të përgatitet për të luftuar kundër ushtrisë ruse në një Luftë të Tretë Botërore të mundshme.
Gjenerali Sanders, i cili mori detyrën nga gjenerali Sir Mark Carleton Smith të hënën, u tha ushtarëve britanikë se ata duhet të përgatiten “për të luftuar edhe një herë në Evropë” ndërsa konflikti në Ukrainë vazhdon.
“Tani ekziston një imperativ i flaktë për të krijuar një ushtri të aftë për të luftuar përkrah aleatëve tanë dhe për të mposhtur Rusinë në betejë”, tha Sir Patrick.
Sipas The Sun, paralajmërimi erdhi në fjalimin e tij të parë që kur u bë Shef i Shtabit të Përgjithshëm këtë muaj, duke marrë kontrollin e përgjithshëm të ushtrisë britanike.
“Ne jemi brezi që duhet të përgatisim Ushtrinë për të luftuar edhe një herë në Evropë”.
“Unë jam shefi i parë i Shtabit të Përgjithshëm që nga viti 1941 që merr komandën e Ushtrisë nën hijen e një lufte tokësore në Evropë që përfshin një fuqi kontinentale”, shtoi gjenerali Sanders.
“Invazioni rus i Ukrainës nënvizon qëllimin tonë kryesor – të mbrojmë Britaninë e Madhe duke qenë gati për të luftuar dhe për të fituar luftërat në tokë”.
Vërejtjet vijnë në një kohë kur gjenerali Saunders do të drejtojë ushtrinë më të vogël britanike në 300 vitet e fundit, pasi qeveria e shkurtoi forcën në 73,000 trupa.
56-vjeçari ka komanduar më parë në operacione në Irlandën e Veriut, Kosovë, Irak dhe Afganistan.
Ai ka premtuar gjithashtu të përshpejtojë planet për të modernizuar ushtrinë dhe për ta vendosur më shpesh jashtë shtetit për t’iu përgjigjur me shpejtësi krizave.