Gjenerali i NATO-s informohet me planin e tranzicionit të FSK-së
Ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, janë takuar në takime të ndara me gjeneralin Tod Wolters, komandant Suprem i Forcave Aleate për Evropë, në takime të ndara.
Ministri Berisha e ka informuar gjeneralin Wolters për planin gjithëpërfshirës të tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe implementimin e tij në bashkëpunim të ngushtë me aleatët.
Gjithashtu, ministri Berisha e ka njoftuar gjeneralin Wolters me theks të veçantë rreth progresit të arritur gjatë 120 ditëve të para të tranzicionit.
“Forca e Sigurisë së Kosovës edhe me mandatin e ri do të vazhdojë të ndërtohet si forcë profesionale, multietnike dhe e besueshme”, është shprehur ministri Berisha.
Ndërsa, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama gjatë takimit me komandantin Suprem të NATO-s, gjeneralin Tod Wolters, e ka njoftuar atë me zhvillimet e FSK-së, të arriturat e përgjithshme si dhe sfidat.
Gjenerali Rrahman Rama me gjeneralin Tod Wolters biseduan edhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në mes të NATO-s dhe FSK-së, për zhvillimin e një force profesionale me standarde të NATO-s.
Komandanti Suprem i NATO-s për Evropë, gjenerali Wolters e ka falënderuar ministrin Berisha dhe komandantin Rama për takimin, për përkrahjen e vazhdueshme për KFOR-in në zbatimin e misionit të tij në Kosovë, dhe ndër të tjera, përsëriti zotimin e NATO-s dhe KFOR-it për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe rajon.
/Epoka e re/