Gjenerali Kudusi Lame shpallet “Qytetar Nderi” i Hanit të Elezit
Në Ditën e themelimit të Komunës së Hanit të Elezit me një seancë solemne është shpallur “Qytetar Nderi” i kësaj komune gjenerali Kudusi Lame!.
“Data 22 shtator konsiston në Ditën e Themelimit të Komunës së Hanit të Elezit si pilot njësi komunale në kuadër të procesit të decentralizimit, por që Hani i Elezit si vendbanim daton që nga shekulli 16 me emrin Sharr, ndërsa nga shekulli 19 me zhvillimin e tregtisë dhe ndërtimin e një vendbanimi zë ri, u quajt Hani i Elezit. Ndërsa sot, shënuam 19 vjetorin e ditës së themelimit të Komunës së Hanit të Elezit me të gjitha të drejtat e dhe përgjegjësitë që i takon. Pikërisht në këtë datë, sot i dhamë madhështi shënimit të kësaj dite, duke e ndarë për herë të parë çmimin ‘Qytetar Nderi’, ku me propozim nga unë si kryetar komune dhe me miratim nga Kuvendi Komunal, nderuam gjeneralin Kudusi Lame, si një vlerësim për rolin e tij të jashtëzakonshëm si udhëheqës dhe strateg në çështje të sigurisë , por mbi zë gjitha si një mik i madh i Kosovës, luftëtar e gjeneral në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë kryetari i Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi.
Gjenerali Lame në fjalën e tij përshëndetëse tha: “Është privilegj i jashtëzakonshëm për mua të jem qytetar i kësaj komune. Ky vlerësim më obligon përgjegjësitë e mia pas këtij solemniteti, sepse gjithkund ku bëhesh pjesë, nuk bëhesh vetëm për të marrë vlerësime, kënaqësi e ngrohtësi, por për të marrë edhe përgjegjësi. Prandaj e ndjej, se prej sot, unë nuk jam vetëm qytetar i Komunës së Hanit të Elezit, por edhe ushtar i saj”.