GJENERALI PA YLL
Grigor Banushi
“Gjenerali pa yll” është romani i nëntë i shkrimtarit Grigor Banushi.
Ngjarjet zhvillohen në ditët tona, në mjediset e Bunkerit Antibërthamor rrëzë Malit të Dajtit. Njëzet e një gra e burra kanë mbetur të bllokuar brenda mureve të Bunkerit gjigant, ku janë të detyruar të bashkëjetojnë, por edhe të ndajnë me njëri-tjetrin ushqimin, ujin, ajrin, vuajtjet dhe mendimet. Mes personazheve të larmishme të moshave e profesioneve të ndryshme, që vijnë nga treva të ndryshme të vendit, spikat Trajan Kondi, një ish-ushtarak, ish-partizan dhe më vonë drejtues në ushtrinë shqiptare. Karriera e tij ushtarake ndërpritet pasi shpallet armik dhe dënohet me shumë vite burgim. Të gjitha peripecitë e jetës formojnë tek ai njeriun e paepur, që u qëndron deri në fund besnik idealeve të veta. Trajan Kondi mbetet një kolonel i përjetshëm i ushtrisë shqiptare dhe nuk arrin kurrë të gradohet gjeneral. Pavarësisht prej kësaj, njerëzit gëzojnë respekt për figurën e tij, ndaj e thërrasin me gradën më të lartë të ushtarakut në Shqipëri, të cilën, ndonëse nuk e mori, e meritonte prej kohësh. I mësuar kurdoherë në komandë dhe në krye të situatave të vështira, Gjenerali kryen edhe aktin e tij të fundit në shërbim të njerëzve, të atyre me të cilët fati e mbajti të ngujuar në bunkerin prej hekuri e betoni. Duke e ndier veten përgjegjës njëlloj si të ishte në luftë, Trajan Kondi thur plane dhe lufton për shpëtimin e njëzet e një njerëzve të ngujuar në Bunker.
Një roman që spikat për temporitmin e tij; ngjarjet dhe situatat e rënda vijnë njëra pas tjetrës dhe duket sikur një forcë e mbinatyrshme i vë njerëzit në provë, para disa vështirësive, të cilat të gjithë së bashku duhet t’i kapërcejnë. Teksa jetojnë në një mjedis të përbashkët e në kushte jonormale, personazhet shfaqin virtytet dhe veset e tyre. Në skenën gjigante të bunkerit veprojnë njerëz bujarë, por ka edhe njerëz të ligj e smirëzinj; ka guximtarë, por edhe nga ata që ankohen vazhdimisht dhe janë frikacakë, ndër ta edhe spiunë të kahershëm që në të tilla kushte, tejet të kufizuara, nuk i hyjnë në punë askujt.
Romani “Gjenerali pa yll” është një tjetër sukses i shkrimtarit Grigor Banushi.
Grigor Banushi lindi në Tiranë më 2 tetor 1948. Pasi përfundoi studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në degën e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, punoi si mësues në Pukë. Prej vitit 1979 deri më 2013 gazetar në Radio Tirana.
Romanin e parë me titull “Vdekja e Narcisit” e botoi në vitin 1997, që u pasua nga “Fytyra e Djallit”, 2009; “Mëria e Zanave”, 2015; “Simfonia e pambaruar”, 2017; “Aromat e vjeshtës”, 2018; “Vals në Shkretëtirë”, 2019; “Zërat e natës”, 2020 dhe “Pasanikë të varfër”, 2021.
Romani Simfonia e pambaruar është fitues i programit Creative Europe dhe u botua italisht nga Shtëpia Botuese Besa Muci. Gjithashtu, “Mëria e Zanave” dhe “Simfonia e pambaruar” janë botuar në bullgarisht nga Shtëpia Botuese “Persei”.
Gjenerali pa yll është romani i gjashtë i botuar nga Shtëpia Botuese DITURIA.
Ka gjithsejt 376 faqe
Çmimi 1000 lekë.