Gjenerali ukrainas: Rusët janë gjysmë të rrethuar në Bakhmut
Trupat e Ukrainës kanë bërë një shtytje të përtërirë për të rimarrë qytetin e Bakhmutit, dhe tani forcat ruse janë “gjysmë të rrethuara”, tha komandanti i forcave tokësore të Ukrainës.
“Për momentin, vendosja e trupave ruse i ngjan një harku, të përqendruar në Bakhmut. Dhe ato janë nën gjysmërrethim. Epo, është e pamundur të mos përfitosh nga kjo”, i tha BBC-së gjenerali Oleksandr Syrskyi, transmeton Telegrafi.
Bakhmuti ishte fokusi i konfliktit më intensiv për muaj të tërë, ku të dyja palët pësuan humbje të mëdha.
Por gjeneral Syrskyi pretendon se trupat e tij do të jenë në gjendje të rimarrin Bakhmutin me humbje 10 herë më të vogla se ato që pësuan forcat e Wagnerit që tentuan të pushtojnë qytetin.
Ai tha se rimarrja e qytetit do të ishte me vlerë simbolike dhe strategjike për Ukrainën.
Kundërofensiva e Ukrainës përgjithësisht konsiderohet të jetë duke lëvizur ngadalë deri më tani, kurse komandanti tha se Kievi po vuan nga një disavantazh për sa i përket artilerisë, forcave ajrore dhe pajisjeve të tjera.