Gjenerali ukrainas viziton ushtarët në rajonin rus: Nuk ka frikë nga rrethimi i forcave tona

12 mars 2025 | 08:27

Komandanti i përgjithshëm i forcave ukrainase, gjenerali Oleksandr Syrsky, ka qëndruar gjatë ditëve të fundit në pozicionet e ushtrisë ukrainase në rajonin rus të Kurskut, ku forcat ruse kanë kryer disa depërtime të rëndësishme.

Njësitë ukrainase aktualisht nuk janë nën kërcënimin e rrethimit në rajonin rus të Kurskut, deklaroi komandanti i përgjithshëm Oleksandr Syrsky.

“Aktualisht nuk ka rrezik për rrethimin e njësive tona në rajonin e Kurskut. Njësitë po ndërmarrin masa në kohë për të manovruar drejt vijave mbrojtëse të favorshme”, shkroi gjenerali Sirski.

Deklarata erdhi pas raporteve mbi sukseset e trupave ruse dhe atyre koreano-veriore, të cilat kishin nisur një sulm ndaj qytetit Sudzha në rajonin e Kurskut. Forcat ruse kanë bërë një depërtim në jug të qytetit Sudzha, i cili kontrollohet nga ukrainasit, duke kërcënuar potencialisht të shkëpusin disa nga pozicionet ukrainase në rajonin rus.

Megjithatë, komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase thekson se, pavarësisht disa sukseseve të ushtrisë ruse, situata mbetet e qëndrueshme dhe nën kontrollin e forcave ukrainase. Syrsky shtoi se forcat ruse kanë paguar një çmim të lartë për sukseset e arritura, duke theksuar se “brenda katër ditëve luftime është shkatërruar një batalion i tërë i ushtrisë ruse pranë Sudzhës”.

Forcat ukrainase në këtë pjesë të frontit po marrin gjithashtu përforcime të reja me qëllim konsolidimin e linjave mbrojtëse, duke u fokusuar kryesisht në sistemet e luftës elektronike dhe dronët.

Humbja e mundshme e pozicioneve në rajonin e Kurskut ose përparimi rus në rajonin Sumy të Ukrainës, pa dyshim do të dobësonte pozicionin negociator të Ukrainës ndërsa përgatitet për një raund të ri bisedimesh me SHBA-në në Arabinë Saudite.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas një seance të gjatë mbi 7 orë, Apeli i…