Gjenerali: Vendimi i [qeverisë] nuk vlen për institucionin tonë
Vendimin e Qeverisë së Kosovës, i cili parasheh që nga dita e sotme qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve të bëhet vetëm në kohë të caktuara, e ka kundërshtuar mbrëmë vonë në një konferencë presidenti Hashim Thaçi, duke e quajtur vendim antikushtetues. Madje presidenti ka bërë thirrje që një vendim i tillë të mos respektohet nga qytetarët.
KALLXO.com ka kontaktuar me gjeneralin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, i cili ka thënë se do ta respektojnë gjithsecilin vendim në të mirë të qytetarëve. “Ne nuk kemi ndonjë orë policore sot. Ne e respektojmë çdo vendim që vjen, por institucioni ynë është institucion i shtetit dhe kur vlerësohet se kanë nevojë qytetarët, ne s’e pyesim orën policore. Nuk vlen vendimi për institucionin tonë. Ne jemi institucion shtetëror, ne i respektojmë rregullat, ne jemi në gjendje emergjente dhe duhet të veprojmë”, tha Rama.
Në konferencë presidenti Thaçi ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve është i rrezikshëm për Kosovën dhe për qytetarët e saj. Sipas tij, vendimi i qeverisë Kurti është shkelje e Kushtetutës dhe qytetarët nuk janë të obliguar t’i respektojnë vendimet antikushtetuese dhe askush nuk mund t’i dënojë për këtë. “As policia, as organet e sigurisë nuk duhet ta zbatojnë këtë vendim antikushtetues të qeverisë sepse kështu bëjnë edhe vetë vepër penale”, ka thënë presidenti Thaçi.