
Gjenerallejtënanti amerikan Kicklighter i shkruan letër ngushëllimi Thaçit: E dhimbshme që gjatë viteve të fundit të jetës së babait tuaj, nuk ishit pranë tij
Gjenerallejtënanti amerikan në pension, Claude M. Kicklighter i ka dërguar letër ngushëllimi ish-presidentit Hashim Thaçi për vdekjen e babait të tij.
Kicklighter në letrën e tij tha se vazhdon të lutet për lirimin e Thaçit dhe se “drejtësia e vonuar është padrejtësi”, transmeton Demokracia.com
Ai poashtu shkroi se kishte planifikuar ta vizitonte Thaçin në Hagë por për shkak të një sëmundje nuk ka arritur.
LETRA E PLOTË:
Letër Ngushëllimi
I nderuar President Thaçi,
I dashur z. President,
Me pikëllim të madh morëm vesh për ndarjen nga jeta të babait tuaj.
Ju shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta, juve dhe familjes suaj.
E dimë nga përvoja se sa e dhimbshme është humbja e një prindi, sepse nuk ka asgjë që mund ta krahasojë këtë humbje të madhe.
Lutemi që Zoti t’ju japë forcë juve dhe familjes suaj për të përballuar këto momente të vështira.
Vazhdojmë të lutemi për lirimin tuaj, në mënyrë që të bashkoheni me familjen tuaj, sidomos tani. Në vendin tim thuhet se drejtësia e vonuar është padrejtësi, dhe rasti juaj ka qenë padrejtësi që nga fillimi. Është shumë e dhimbshme që gjatë viteve të fundit të jetës së babait tuaj, ju nuk ishit pranë tij. Sa kam kuptuar, gjykata ju dha vetëm rreth tri orë për të qenë me të në momentet e fundit.
Siç mund ta kujtoni, kisha planifikuar të ju vizitoja në burg, bashkë me Ambasadorin dhe Kongresmenin, Tony Hall, dhe Ambasadorin Ahmet Shala. Për shkak të një sëmundjeje, m’u desh ta anuloj udhëtimin tim, por kam vazhduar të lutem për ju dhe familjen tuaj, dhe do të vazhdoj ta bëj këtë deri në ditën kur do të liroheni e do të jeni sërish pranë familjes suaj, miqve dhe popullit të mrekullueshëm të Kosovës.
Shpresoj që të mund t’ju vizitojmë së shpejti, dhe lutja ime është që deri atëherë ky makth të ketë marrë fund.
Amerika është me të vërtetë e bekuar që ka një lidhje kaq të fortë miqësie mes dy kombeve dhe popujve tanë. Jam thellësisht mirënjohës për këtë miqësi.
Me shumë dashuri, ju shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta,
Claude M. Kicklighter
Gjenerallejtënant (në pension) Ushtria Amerikane