Gjeneralmajor Shaban Shala, protagonist i zhvillimeve të mëdha të Kosovës

05 janar 2019 | 10:25

Shkruan: Ferat Shala

(Shënim përkujtimor me rastin e 7-vjetorit të vdekjes)

Gjeneralmajor Shaban Shala, ishte një nga veprimtarët e paepur të çështjes kombëtare që një jetë të tërë i shërbeu atdheut.

I lindur dhe i brumosur në frymën e atdhedashurisë që i dhuroj familja e tij qysh në fëmijërinë e hershme, ai do të vazhdojë angazhimin kombëtarë edhe në kohën e rinisë së hershme. Ai ka qenë anëtar i ilegales patriotike qysh nga shkolla e mesme. Gjatë kohës së studimeve do të bashkëpunojë edhe me figura emblematike të lëvizjes së ilegales si Nuhi Berisha, Rexhep Mala, Fehmi Lladrovci e shumë atdhetarë të tjerë. Ka marrë pjesë aktive në demonstratat e vitit 1981.

Për shkak të veprimtarisë për çështjen kombëtarë ai do të burgoset disa herë dhe do të dënohet me 10 vite burg si i burgosur politik nga regjimi kriminal serb. Pas vuajtjes së dënimit ai do të kthehet edhe më fuqishëm në aktivitetin e tij politik dhe kombëtarë duke u angazhuar në kuadër të Kryesisë së Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut si bashkëthemelues e drejtues, përkrah veprimtarit të shquar Adem Demaçi. Ka qenë anëtar i Kryesisë së KLDMNJ-së.

Ai dha kontribut të çmueshëm në ngritjen e celulave të parë të UÇK-së. Ishte ushtarë i orëve të para të, bashkëpunëtorë i ngushtë i komandantit legjendar Adem Jashari dhe vëllai i dëshmorit Bedri Shala që ra heroikisht në betejën e Junikut.

Ka merita të jashtëzakonshme në zhvillimin dhe forcimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe strukturave udhëheqëse të saj. Gjatë kohës së luftës çlirimtare ai ishte caktuar shef i i Drejtorisë si Informimit Publik të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Në verë të vitit 1998 ka qenë i sistemuar në shtabin ushtarak të Likocit ku për një kohë ka qenë e vendosur selia e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe Shtabi i Zonës Operative të Drenicës.

Ishte ndër personalitetet meritore që punoj pa rezervë në bërjen e lirisë dhe në ndërtimin e shtetit të pavarur të Kosovës. Do të mbahet mend sidomos për angazhimin në kuadër të strukturimit dhe organizimit të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, ku ishte edhe pjesë e strukturave komanduese.

Vdekja e mori herët, shumë herët. E mori atëherë kur më shumë se kurrë i duhej Kosovës. Na duhej që ta kishim ende me përvojën dhe këshillat e tij në rrugën e shtet-ndërtimit. Na duhej për qëndrimin e tij të drejtpërdrejt, të sinqertë dhe largpamës. Na duhej për frymën unifikuese dhe autoritative që ushtronte kudo që vepronte. Na duhej ende shembulli dhe modeli i tij energjik dhe i palodhur prej gjenerali të pathyeshëm.

Unë ndjehem me fat që kam njohur dhe kam pasur si bashkëpunëtorë dhe bashkëluftëtarë këtë veprimtarë të madh të kombit tonë. Isha i privilegjuar që rrugëtova përkrah tij në ecejaket e ilegales, shtigjeve të luftës dhe në rrugën e paqes.

Gjeneralmajor Shaban Shala, ishte dhe mbetet protagonist i zhvillimeve të mëdha të Kosovës që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e kombit tonë. Ai la pas vetes shumë kujtime dhe shumë vepra. Mbi të gjitha na la pas vetes krenarinë, andaj kujtimi për të do të mbetet i përjetshëm.

05 Janar 2019.

Shënim: Kjo fotografi ekskluzive e gjeneralmjor Shaban Shalës, është pjesë e arkivit të fotove të realizuara gjatë kohës së luftës nga gazetari dhe reporteri i Radios “Kosova e lirë” , Martin Çuni, të cilin e falënderoj shumë që ma mundësojë ta ndaj me ju këtë foto në këtë përvjetor.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se vendi…