Gjenerata e artë e përkrah Ademin edhe për një mandat

04 mars 2022 | 14:57

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka pritur në takim gjeneratën e artë të futbollistëve kosovarë, të cilët kanë dhënë kontribut të veçantë për futbollin sidomos në periudhën e ish-Jugosllavisë.

Ish-futbollistët të cilët kanë lënë gjurmë me punën dhe përkushtimin e tyre në fushën e gjelbër dhe jo vetëm, e falënderuan Ademin për siç thanë ata transformimin që ka bërë në futbollin e Kosovës, duke ndikuar në zhvillimin e shpejt të sportit më masiv në vend, me krijimin e kampeve me kushte tejet komode, e ku kombëtaret tona do të mund të zhvillojnë aktivitetin e tyre.

Ajet Shosholli e përgëzoi Ademin për punën e mirë dhe për respektin që ia bënë kësaj gjenerate. Ai shtoi se duke e pasur mundësinë të jenë afër futbollit, e shohin formën e duhur dhe të drejtë me të cilën po zhvillohet futbolli i Kosovës.

Ndërsa, kapiteni i tyre i parë Ramadan Cimili foli në superlativ për udhëheqjen e shtëpisë së futbollit në krye me Ademin, të cilin e falënderoi për respektin që u bënë duke u këshilluar me ta dhe duke ua mundësuar të jenë afër futbollit dhe të kenë përgjegjësi pavarësisht moshës së shtyrë.

Erdogan Celina në fjalimin e tij është shprehur i lumtur që ka qenë pjesë e gjeneratës së artë, por që edhe këto ditë vazhdon të jetë pjesë e futbollit i cili po zhvillohet shpejt dhe drejt falë udhëheqjes së mirë nga kryetari Ademi.

Edmond Rugova e falënderoi kryetarin Ademi për respektin që ka treguar për gjeneratën e artë ndër vite, duke thënë se është i vetmi që asnjëherë nuk i la të ndihen të neglizhuar.

Në anën tjetër Abdyl Bellopoja u shpreh i lumtur që Ademi është i gatshëm të vazhdojë edhe për një mandat tjetër në krye të FFK-së, duke e konsideruar si personin më adekuat për të drejtuar shtëpinë e futbollit.

Ndërsa Muharrem Sahiti dënoi ashpër shpifjet që disa persona po i bëjnë me qëllim të njollosjes së imazhit të Ademit, duke pohuar se të njëjtit flasin pavend dhe pa prova. Ai po ashtu ka thënë se puna e pastër e kryetarit Ademi vërtetohet edhe me marrëdhëniet që ai ka krijuar me drejtuesit e FIFA-s dhe UEFA-s, Gianni Infantino dhe Aleksandër Çeferin.

Ata njëzëri i ofruan mbështetje Ademit në mandatin e ardhshëm dhe i uruan shumë suksese.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtari shqiptar Yll Limani ka qenë si i ftuar special…