Gjeneza e termit “drejtori politike” e UÇK-së (11)

04 dhjetor 2023 | 16:52

INTERVISTË EKSKLUZIVE me Bardhyl Mahmutin: Si u hoq cilësimi i UÇK-së si “organizatë terroriste”? (11)

Politologu Bardhyl Mahmuti, ish-përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në intervistën ekskluzive dhënë “Epokës së re”, në vazhdimin e pjesës së njëmbëdhjetë, ka folur për gjenezën e termit “drejtori politike” e UÇK-së. Në këtë intervistë ai tregon se nga kush lindi kjo ide dhe kush e përkrahi. Bardhyl Mahmuti po ashtu tregon se nga kush e mori besimin që ta përfaqësonte UÇK-në vetë i dyti në një takim diplomatët amerikanë. “Kërkesë e vetme e SHBA-së ishte që takimi në fjalë të mos bëhej publik nga ana jonë përpara se ta bënin publik amerikanët në momentin kur ta gjykonin të arsyeshëm”, ka thënë Bardhyl Mahmuti.

“Epoka e re”: LPK-ja krijoi UÇK-në ndërsa platforma e saj politike për bashkimin e të gjitha forcave politike dhe shoqërore shqiptare, pa dallime klasore, ideologjike, fetare apo krahinore për çlirimin e vendit, u shndërrua në platformë politike të UÇK-së. Si ndodhi që kjo organizatë nuk u shpall “krah politik” i forcës ushtarake që kishte krijuar, por përfaqësimi politik iu ngarkua Drejtorisë politike, e cila deri në takimet me diplomatët amerikanë nuk është përmendur asnjëherë ?

Bardhyl Mahmuti: Nëse nuk gaboj, në fund të muajit maj 1998, në një takim që pata në Tiranë me Xhavit Halitin dhe një përfaqësues të shtetit shqiptar, emri i të cilit nuk më kujtohet tani, Xhaviti më njoftoi se më ishte besuar të përfaqësoja UÇK-në në një takim që do të zhvillohej me diplomatë amerikanë. Kërkesë e vetme e SHBA-së ishte që takimi në fjalë të mos bëhej publik nga ana jonë përpara se ta bënin publik amerikanët në momentin kur ta gjykonin të arsyeshëm. Në të njëjtën kohë më tha se ky takim ishte i një rëndësie të jashtëzakonshme, sepse ishte vendimtar nëse do të na hapeshin rrugët për takime në nivele më të larta shtetërore të SHBA-së, ose do të mbetej në fuqi qëndrimi që cilësonte UÇK-së si “organizatë terroriste”.

Mbështetja e shteteve demokratike me peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare ishte jetike për realizimin e aspiratave për pavarësi të Kosovës. Isha i vetëdijshëm se dështimi eventual në këtë takim për të arsyetuar domosdoshmërinë e luftës së armatosur bartte me vete rreziqe të mëdha për UÇK-në.

Kur kërkova sqarim përse Xhavit Haliti nuk vinte në këtë takim kaq të rëndësishëm, duke pasur parasysh se ishte anëtar i Sektorit të veçantë të LPK-së që kishte të bënte me aspektin ushtarak, ai më sqaroi se unë duhej të isha “violina e parë” që do të jepte sqarime për çështje të ndryshme politike që u interesonin përfaqësuesve të SHBA-së dhe për këtë arsye komunikimi do të bëhej në gjuhën frënge, të cilën e zotëroja unë. Parimisht nëse bisedimet zhvillohen pa përkthyes, në takime të tilla përfaqësuesit e një delegacioni duhet ta njohin gjuhën në të cilën zhvillohet komunikimi, që të jenë në rrjedha për tërësinë e asaj që thuhet. Duke pasur parasysh se Xhaviti e fliste gjermanishten, e jo frëngjishten, ai nuk kishte pranuar të merrte pjesë në këtë takim, me qëllim që të shmangte mundësinë të dallonim në përgjigje dhe të ngjallnim ndonjë mosbesim, nëse dikush nga anëtarët e delegacionit amerikan i shtronte ndonjë pyetje në gjermanisht. Me një fjalë, të gjitha përgjigjet duhej të ishim në të njëjtat “gjatësi valore”. Për këtë arsye Ramadan Avdiu, i cili gjithashtu kishte përfunduar studimet në gjuhën frënge, ishte caktuar të ishte personi i dytë që do ta përfaqësonte UÇK-në në takim me diplomatët amerikanë.

Për shkak të shqetësimit se mund të na shtrohej ndonjë pyetje lidhur me çështje që i dinte vetëm Sektori i veçantë i LPK-së, unë insistova që në takim me diplomatët amerikanë të shkonte Xhaviti me ndonjërin nga anëtarët e tjerë të këtij sektori që njihte gjermanishten. Të tillë ishin disa. Sugjerimi im nuk u pranua. Mbeti që unë dhe Ramadan Avdiu ta përfaqësonim UÇK-në.

“Epoka e re”: A keni biseduar gjatë takimit në Tiranë për gjëra konkrete që do të duhej të thuheshin apo të mos thuheshin në takim me amerikanët?

Bardhyl Mahmuti: Jo! Për asgjë konkrete, sepse askush nuk mund t’i dinte pyetjet që mund të bëheshin nga amerikanët. Më kujtohet se përfaqësuesi i shtetit shqiptar shtroi si hipotezë mundësinë që të pyeteshim rreth pikëpamjeve ideologjike dhe religjioze të UÇK-së. Kjo ishte e tëra. Na u la në përgjegjësinë tonë të mendonim rreth pyetjeve që mund të shtroheshin dhe përgjigjeve që do të duhej të jepnim.

Takimi me diplomatët amerikanë ishte caktuar të mbahej një javë më vonë, në Gjenevë. Të nesërmen udhëtova nga aeroporti i Rinasit për në Zurich dhe prej Zurich-ut, me tren, për në Vevey, ku banoja. Meqenëse oraret e transportit publik në Zvicër ishin shumë të përpikta, e njoftova Ramadan Avdiun të vinte në orën e caktuar në Vevey.

“Epoka e re”: Si e priti z. Ramadan Avdiu misionin që u ishte ngarkuar?  

Bardhyl Mahmuti : Me tërë seriozitetin që kërkonte kjo çështje. Nga momenti që u njoftua se nuk kishim asgjë konkrete se si mund të zhvillohej biseda, e deri te dita e takimit, punuam me një intensitet të lartë për një numër temash që na e merrte mendja se mund të shtroheshin nga diplomatët amerikanë.

“Epoka e re”: Kur u kthyet në Zvicër a e njoftuat Kryesinë e LPK-së, nënkryetar i së cilës ishe, për takimin që pritej të mbahej në Gjenevë dhe faktin se ju dhe z. Ramadan Avdiu ishit caktuar ta përfaqësonit UÇK-në?

Bardhyl Mahmuti: Kërkesa e SHBA-së ishte që përveç ndërmjetësuesve të shtetit shqiptar, askush nuk duhej të vihej në dijeni për këtë takim. Një kërkese e tillë lidhej me faktin se në rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të cilat ishin miratuar pa asnjë votë kundër, UÇK-ja cilësohej si “organizatë terroriste”. Takimi me një organizatë “të tillë” pa u hequr ky cilësim mund të nxiste reagime të panevojshme kundër SHBA-së dhe të dëmtonte vendosjen e komunikimit të drejtpërdrejtë me ne. Për të shmangur përgjimet eventuale nga shërbimet e huaja, ata kishin përcaktuar datën, vendin dhe orën e takimit. Prandaj nuk njoftuam askënd për këtë takim, as bashkëveprimtarët te të cilët kishim besim të plotë.

“Epoka e re”: Për aq sa jemi në dijeni, në kuadër të organeve drejtuese të LPK-së disa herë është shtruar çështja e drejtimit politik të UÇK-së?

Bardhyl Mahmuti: Në kuadër të Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së disa herë ishte shtruar kërkesa që LPK-ja të shpallej “krah politik” i UÇK-së. Mirëpo një kërkesë e tillë asnjëherë nuk gjeti mbështetjen e shumicës së anëtarëve të organeve drejtuese të LPK-së. Në kuadër të debateve të atëhershme brenda nesh mbizotëronte qëndrimi se të kërkosh bashkimin e të gjitha forcave politike dhe shoqërore kombëtare në mbështetje të luftës së armatosur dhe të mbash për vete të drejtën për ta përfaqësuar politikisht këtë luftë, jo vetëm që nuk do të gjente mbështetjen e asnjë partie politike, por do të ishte pengesë për realizimin e një qëllimi të tillë.

I vetëdijshëm se çështje e drejtimit politik të UÇK-së do të shtrohej në takim me amerikanët, kërkova mendimin e Xhavitit. Përgjigja e Xhavitit ishte më shumë diplomatike sesa një përgjigje konkrete: “Ti dhe Ramadan Avdiu jeni politologë që keni përfunduar studimet në shtetet demokratike dhe nuk mund t’ju mësoj unë se çfarë duhet të thoni në takim me amerikanët. Rezultati pozitiv ose negativ varet nga mënyra si do t’i shtroni gjërat ju”.

Epoka e re”: A kishit frikë se dështimi eventual në takim me diplomatët amerikanë do të kishte pasoja për reputacionin tuaj dhe mund të fajësoheshit se “për shkakun tuaj UÇK-së nuk ju hoq cilësimi organizatë terroriste”?

Bardhyl Mahmuti: Me Ramadan Avdiun njihesha që nga muaji shtator i vitit 1984, kur e sollën nga Burgu i Qarkut në Prishtinë, në Burgun “Zabela” në Pozharevac. Në muajin nëntor të vitit 1986 na transferuan të dyve në Burgun e Qarkut në Shabac dhe, në fund, në qershor të vitit 1987, na transferuan në Burgun e Qarkut në Zajeçar, ku qëndrova bashkë me të deri në gusht të vitit 1988.

Në të kaluar ishim ballafaquar me situata ku pasojat e gabimeve të tona i “paguanim” personalisht secili prej nesh. Mirëpo konteksti ku fjalët që do të thoshim ne ishin përcaktuese për qëndrimin e SHBA-së ndaj luftës sonë çlirimtare, në vinte përpara një sfide me përgjegjësi që nuk e kisha pasur asnjëherë më parë: nëse nuk do të hiqej cilësimi i UÇK-së si “organizatë terroriste”, edhe të tjerët do ta paguanin çmimin e gabimeve tonë.

Për ne ishte jetike të hiqej cilësimi jo i drejtë i UÇK-së, sepse hapte rrugë për legjitimimin e luftës sonë çlirimtare dhe përkrahjen e saj. Me Ramadan Avdiun vinim nga e njëjta shkollë e shkencave politike (Universiteti i Lozanës) dhe për asnjë çast nuk i kemi i menduar pasojat personale në rast dështimi, për arsye se përqendrimi në pasoja shndërrohet në ankth që paralizon të menduarit!

Në kuadër të përpilimit të strategjisë që përgjigjet tona të ishin tërësisht koherente pavarësisht temave që dilnin, lindi edhe çështja se si do të përgjigjeshim lidhur me atë se kush udhëhiqte politikisht UÇK-në. Në diskutim rreth kësaj teme lindi ideja e termit “drejtori politike”.

“Epoka e re”: A u konsultuat edhe me dikë tjetër për termin “drejtori politike”, apo për një gjë të tillë vendosët vetëm ju dy?

Bardhyl Mahmuti: Meqenëse takimi me diplomatët amerikanë duhej të mbetej në konfidencë, vendosëm të kërkonim mendimin e Bedri Islamit, që ishte kryetar i LPK-së, Jashar Salihut, Bilall Sherifit dhe të Agush Bujës, me të cilët kishim mbajtur disa konferenca shtypi në Selinë e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, por pa u thënë arsyet e shtrimit të kësaj çështjeje. Nga frika e përgjimeve të telefonave nuk i pyetëm drejtuesit e tjerë të LPK-së që ishin në shtete të tjera.

“Epoka e re”: Cili ishte qëndrimi i tyre?

Bardhyl Mahmuti:  Të gjithë ishin të mendimit se termi “drejtori politike” hapte mundësinë e përfshirjes së spektrit të gjerë të forcave politike shqiptare në mbështetje të UÇK-së dhe ishte i zhveshur nga konotacione partiake apo ideologjike.

“Epoka e re”: Me sa shihet nga ajo që thatë më lartë, takimi me diplomatët amerikanë krijoi një dinamikë të re të debateve rreth drejtimit politik të luftës së armatosur në Kosovë.

Bardhyl Mahmuti: Konstatim i drejt! Nëse takimi do të kishte rezultate pozitive, tërësia e veprimeve diplomatike dhe mediatike e UÇK-së do të merrte një intensitet të pakrahasueshëm me periudhën paraprake. Në këto rrethana, organizimi në drejtori të sektorëve të ndryshëm dilte si domosdoshmëri.

(Muhamet Mavraj / Vijon)

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia e lajmeve “Kosovapress” ka raportuar për një përleshje me…