GJENIU I ÇMENDUR PRANË SHTËPISË SIME

21 gusht 2019 | 17:26

DAVID SORE

Roger Keith Barrett, i njohur më shumë si Syd Barrett, në vitin 1965 do t’i bashkojë emrat e bluzerëve amerikanë, Pink Anderson dhe Floyd Council, për ta krijuar emrin që do të jetë sinonim i rokut progresiv. Këngëtari, solokitaristi dhe autori i shumicës së këngëve dhe teksteve të grupit Pink Floyd, nga përdorimi i tepërt i LSD-së, më 1968 do të kapërcejë në çmenduri të përjetshme. Barretti vdiq më 2006, në moshën 60-vjeçare. Kreativiteti muzikor që shprehu në pak vite ishte frymëzim për muzikantët e mëdhenj, si: Paul McCartney, Pete Townshend, Jimmy Page, David Bowie, Brian Eno… Ndërsa, izolimi, gjendja e tij e mjerë dhe e dhimbshme fizike e shpirtërore, ishin frymëzim për albumet antologjike që Pink Floyd i realizoi në vitet ‘70 të shekullit të kaluar. Se në çfarë gjendje ka jetuar gjeniu i çmendur, kjo mësohet nga artikulli i botuar më 3 dhjetor 2006, në “Mail on Sunday”. Autor i shkrimit është fqinji i tij i parë, përgjatë 25 vjetëve të jetës së tij në një lagje të qetë të Kembrixhit.

 Britmat e tij mund të nisnin çdo kohë, gjatë natës apo gjatë ditës, por më dukej se shumë shpesh ato fillonin kur unë shtrihesha për të fjetur. Kishte zhurma dhe kërcitje të mbytura nga shtëpia tjetër meqë mobiliet shkatërroheshin nën shoqërimin e një ulërime të pareshtur që i ngjante më shumë një shtaze sesa një njeriu. Mund të zgjaste për dy orë dhe, si fëmijë i vogël që isha, kjo gjë më tmerronte. Zakonisht kishte vikatje nevrike me fjalët që nuk lidheshin, por shpesh ato mund të dalloheshin. Gjithmonë ishin të njëjta: “Q… Roger Watersin. Kam me e vra”!

Nuk ka gjë tërheqëse të jesh fqinj me Syd Barrettin. Natyrisht, unë s’e dija atë kohë se kush ishte. Më vonë e kuptova se ishte legjendë e rokut; një nga anëtarët themelues të grupit Pink Floyd dhe se Paul McCartney, David Bowie dhe Pete Townshend ishin në mesin e adhuruesve të tij. Më vonë u zbulua Sydi, i cili vdiq në korrik, iku duke lënë 1.2 milion funte në testament. Ai ishte gjeniu që qëndronte prapa këngëve të hershme të Floydëve, përfshirë edhe hitsinglet “See Emily Play” dhe “Arnold Layne”, por sjellja e tij gjithnjë e më bizare e çoi te ndarja nga grupi në vitin 1968, menjëherë pas lansimit të albumit të tyre të parë. Pink Floyd – me Roger Watersin, Richard Wrightin, Nick Masonin dhe zëvendësuesin e Sydit, David Gilmourin – u shndërrua në një nga aktet më të suksesshme të muzikës rok. Karriera e Sydit nisi të degradonte pas disa soloalbumeve.

Pastaj u zhvendos pranë shtëpisë sime. Jetoja me familjen time në lagjen “St Margaret’s” nr. 7, në Kembrixh. Ishte një lagje pa rrugë dalëse, me shtëpi me dy hyrje të ndërtuara në vitet 1930. Winifred, nëna e Sydit, ishte fqinja në shtëpinë nr. 6 ku – në vitin 1981, kur unë isha gjashtë vjeç – djali i saj u kthye nga Londra për të jetuar me të.

Herën e parë që e pashë isha duke lozur me biçikletën time në rrugicën pranë. Doli nga shtëpia me disa gërshërë kopshti dhe me një sharrë – si njeri i papërshkrueshëm në mes të tridhjetave, me flokë të rralluara. Pa fjalë kishte vendosur për t’i prerë pemët dhe shkurret në pjesën e përparme të kopshtit. Kopshti ishte i bukur (pronarët e mëparshëm të shtëpisë kishin punuar në Kopshtin Botanik të Universitetit të Kembrixhit), ndërsa kur Sydi e mbaroi punën dukej sikur ta kishte shkatërruar një uragan. I këputi të tri trungjet, i tërhoqi zvarrë në pjesën e pasme të oborrit dhe i dogji në një zjarr të madh. Prindërit e mi ishin shumë të mërzitur, por s’mund të bënin gjë. Ndërkaq, nuk e kishim as idenë se ky ishte veç fillimi i një modeli që do të përsëritej herë pas here. Sa herë që shkurret rriteshin, Sydi i priste dhe i digjte. Kohë pas kohe i digjte edhe veprat e tij të artit – pikturat psikodelike të cilat t’i kujtonin paksa veprat e Jackson Pollockut.

Zjarret ishin të mëdha, me flakët deri në dy-tri metra që përgjatë rrugëve përhapnin një mjegull të dendur të tymit të bardhë. Nëna e Sydit – që ishte e sjellshme me prindërit e mi – kërkonte gjithmonë falje, por nuk mund të bënte asgjë për ta kontrolluar.

Shpejt kuptuam se ishte e pakuptimtë ta kundërshtoje Sydin. Çdo përpjekje për ta ballafaquar me sjelljen e tij, në rastin më të mirë përfundonte me një vështrim si hut. Ndonjëherë do të lëshonte një varg fyerjesh të liga e të frikshme. Kur Sydi ishte në një qejfet e tij të djegies, gjithçka që mund të bënim ishte të tërhiqeshim në shtëpi dhe t’i mbyllnim të gjitha dyert e dritaret.

Sydi, në fakt, nuk merrte asgjë parasysh. Ndaj, zjarri ishte shqetësimi më i vogël, sepse qetësia prishej shpesh nga tingujt e qelqit të thyer. Sa herë që demonët e brendshëm e torturonin dhe e mundnin, ai do t’i hidhte gjërat nga dritaret. Kjo ndodhi të paktën 100 herë. Bari i kopshtit të tij ishte shpesh i mbushur me xhama të thyer, me gota, enë e stoli. Ndonjëherë thyerja e dritareve niste në mes të natës e unë rrija shtrirë në shtrat, me frikën që të mos fle, se do ta sulmojë shtëpinë tonë. Isha i bindur se një ditë do të dilte nga dritaret e tij dhe do të futej te ne. Herë pas here dritarja rregullohej dhe pastaj shkatërrohej ditën tjetër. Sydi, pa ndihmën e askujt, i ka mbajtur gjallë shumë biznese të xhamaprerësve lokalë.

Deri atëherë britmat ishin aspekti më shqetësues i sjelljes së tij. Por, të dëgjosh një njeri të rritur duke qarë e duke dënesë me orë të tëra, kjo ishte e tmerrshme për mua dhe për dy motrat e mia. Nuk kishim asnjë njohuri për sëmundjet mendore. Për aq sa dinim, ne jetonim pranë një ahmaku e të çmenduri, potencialisht të rrezikshëm. Frika jonë më e keqe u vërtetua një natë kur Sydin e morën të lidhur me këmishën e psikiatrisë. Ne disa herë e kishim telefonuar policinë. Ata silleshin përreth, i bënin ca llafe me nënën e Sydit dhe largoheshin pa ndërmarrë ndonjë veprim tjetër.

Por, në këtë rast të shfrimit ishte shumë i dhunshëm. Më vonë e kuptuam se e kishte sulmuar nënën. Ajo e kishte thirrur policinë. Mbaj mend se shihja fshehtë nga dritarja për ta parë Sydin teksa largohej i lidhur. Nëna e tij ishte shumë e mërzitur; e luste që të qetësohej, por ai fshante nga fyerjet. Shpresoja se kurrë nuk do të kthehet. Por, u kthye pas disa ditësh. Nëna e tij u largua për të qëndruar me vajzën e saj Rosemary. Ajo nuk mund t’ia dilte mbanë me Sydin.

Pas kësaj, Rosemary kujdesej për të. E dërgonte vëllanë për të bërë çdo javë pazar në “Sainsbury’s”. Dyqani ishte dhjetë minuta larg. E merrte, e çonte atje dhe e shëtiste rreth e rrotull sikur të ishte fëmijë, pastaj e kthente. Ai rrinte ulur në veturë derisa Rosemary nuk ia hapte derën dhe nuk e drejtonte për te shtëpia. Dukej sikur s’e dinte tamam se ku ishte apo se çfarë po ndodhte.

Me nënën që iu largua, sjellja e tij vazhdoi gati si më parë. Familja jonë vepronte si një sistem paralajmërues, duke e telefonuar të motrën e tij sa herë që dilte nga kontrolli. Ajo vinte dhe i qetësonte gjërat.

Është thënë se pasi u largua, Sydi kishte interesim të vogël për grupin Pink Floyd, megjithatë zjarri dhe thyerja e dritareve kulmuan në vitin 1986, kur Floydët ishin në lajme për shkak të një mosmarrëveshjeje ligjore mes Watersit dhe anëtarëve të tjerë të grupit. Mund të ishte rastësi, por Sydi e fajësonte Watersin për diçka – ishte gjithmonë emri i tij i pranishëm në britmat kërcënuese. Nisa të brengosem për mënyrën se si do ta mbronim veten nëse ai do të tërbohej dhe do të na sulmonte. Sepse, Sydi ma kujtonte Jack Nicholsonin te filmi “The Shining”.

Përgjatë viteve, për një kohë të gjatë nuk tha kurrë më shumë se disa fjalë. Nëse kalonim pranë tij në rrugë, herë pas here e pëshpëriste një “tung”, por më shpesh se kjo nxitonte me kokën teposhtë. Nganjëherë e kalonte rrugën për të më shmangur.

Një valë e madhe e adhuruesve vinin për t’i bërë homazhe. Ata shpesh trokisnin në derën tonë. “A jeton Syd Barretti këtu?” U thoshim jo. E dinim se nuk donte të shqetësohej dhe se, edhe po të ishte, mund t’i “çonte menjëherë në p.s.”! Tifozët nganjëherë nuk e pranonin “jo”-në si përgjigje dhe trokisnin në derën e tij. Zakonisht nuk kishte përgjigje, por herë pas here e hapte derën, me sa duket gabimisht, dhe e përplaste para fytyrave të tyre sapo kuptonte se kush ishin.

Ai u përkeqësua shumë, fizikisht, pas largimit të nënës së tij. Nuk lodhej ta përthekonte këmishën, e as nuk ia ndiente që ta vishte. Vishte pantallona të mëdha. Dukej i çrregullt. Ndonjëherë e shihnim duke ecur nëpër rrugë, veç me të poshtmet e pizhameve.

Dukej se jetonte me fërgesa dhe shpeshherë e digjte tiganin. I shihnim flakët që kërcenin deri në tavan të kuzhinës së tij, ndërsa nuk ishte asnjë shenjë e Sydit. Ai kishte qasje shumë relaksuese ndaj sigurisë së zjarrit.

Pinte shumë, ndoshta një shishe uiski në ditë. Sydi ishte, po ashtu, duhanxhi i madh. Si adoleshent kam punuar në një kioskë. Sydi vinte pothuajse çdo ditë për cigare. Gjithmonë i blinte 60 cigare, nganjëherë edhe duhan. Çdoherë bënte përzgjedhje të ndryshme, duke kërkuar “20 Rothmans”, “20 B&H”, “20 Embassy Number 1”, ose “20 JPS”, “20 Embassy Regal”, “20 Marlboro’. I merrte cigaret dhe marshonte pa asnjë tjetër fjalë. Kurrë nuk paguante me dorë, por përmes rabushit të madh me të cilin merrej e motra. Atëherë e dija se kush ishte ai, ndaj e kisha të vështirë të pajtohesha me vetminë e këtij burri në mesomoshë që kishte probleme të mëdha me botën – me muzikantin e bukur që e shihja duke buzëqeshur në fotografitë e mëhershme.

Si bëhet që autori i vargjeve të pasura poetike, me dukje surrealiste, të zvogëlohej në diçka që mezi e bënte bashkë një fjali?

Lexova mjaft për të kuptuar se shumica e kritikëve ia përshkruanin problemet thyerjes së shkaktuar nga LSD-ja, mu në kulmin e famës. Sydi ishte paralajmërim i tmerrshëm për rreziqet e drogës.

Në një rast ai erdhi në kioskë, ku ishte një revistë muzike që në ballinë kishte një fotografi të grupit Pink Floyd nga koha e Sydit. I thashë Rogerit – që ishte emri i tij i vërtetë, ndërsa Syd ishte veç një pseudonim – “je në ballinën e sotme të ‘Mojo’-s”. Më shikoi i befasuar. “E kam atë”, më tha. Kam përshtypjen se ishte i kënaqur.
Për 25 vjet sa jetoi në lagjen “St. Margaret”, unë veç një herë e pashë duke buzëqeshur. Ndodhi kjo në të nëntëdhjetat kur kisha një veturë “Lancia Delta HF Turbo” – një kopje e veturës së garave që Martini kishte sponsorizuar në vitet e tetëdhjeta. Isha shumë krenar për të dhe një ditë teksa po e laja, e mbaja lart një zorrë që uji të binte te të gjitha anët. Sydi ishte në kopshtin e tij dhe rrinte duke më shikuar me fytyrë të zgërdheshur. Nuk njihej si adhurues i automjeteve; i vetmi “mjet” në pronësi të tij ishte një biçikletë e lodhtë e vjetër. Besoj se pamja sikur e gudulisi, meqë mendonte se po e ujisja veturën thuajse ishte një bimë. Ndoshta kjo e çoi në ditët e lumtura të hipikëve, të mbushura me doza të drogës.
Por, nuk ishte gjithçka keq me të. Kur nuk i kishte ndonjë nga ato sulmet e tij, ishte shumë i qetë.
Kurrë nuk e kam dëgjuar televizorin e tij. E dëgjova duke luajtur muzikë vetëm pak herë – dhe gjithmonë xhaz klasik ose modern, e kurrë muzikë pop apo ndonjë nga veprat e tij.
Në vitet e tij të mëvonshme, sjellja e tij ishte më pak e çrregullt, ndërsa britmat u ndalën krejtësisht. Por, me raste kishte ndezje zjarri. Për Krishtlindje ne madje morëm disa kartolina nga ai. I bënte vetë, me dizajn të bukur me motive të Kërshëndellave – zilet dhe bredhat në letër të bardhë. “Ju uroj Krishtlindje të lumtura – Rogeri”, thoshte mesazhi. Një vit, kur pashë në gazetë se ishte ditëlindja e tij, e futa një kartolinë përmes vrimës së derës së tij. Herën tjetër që e pashë më tha “tung” dhe më shikoi për disa sekonda. Dukej se po më falënderonte.
Kaloi shumë kohë që nuk kisha më frikë nga ai. E dija se ishte shpirt thellësisht i trazuar, që meriton simpati më shumë se çdo gjë tjetër.
Sydi vdiq në shtëpi, në korrik, nga komplikimet e diabetit. Ishte 60 vjeç dhe ishte shtruar që tri javë në Spitalin Addenbrooke. Motra e tij tha se kur të kthehet në shtëpi do të duhej ta kishte një kujdestar. Ai qëndroi në shtëpi për një ditë e gjysmë dhe vdiq.
Shtëpia e tij u shit tash vonë. Shkova për ta parë kur ishte në treg. Skema e ngjyrave përshkruhet më së miri si interesante – një dhomë me ngjyrë të portokalltë, një e kaltër, disa si kombinim i ngjyrave portokalli, kaltër dhe rozë, ndërsa kuzhina ishte testamenti i Sydit për aventurat “bëje vetë”: një përzierje e rafteve të çuditshme dhe të pazakonta. Një imazh më përndjek: një hipopotam lodër i gozhduar në njërën nga dorëzat e rafteve. Ky ishte Sydi tipik: enigmatik, i çuditshëm dhe po pra, i çmendur.
Më vjen keq që ka vdekur, por nuk do të më marr malli për të.

 

(Revista “Akademia”/ Përktheu: Agron Shala)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas bllokimit të 550 tonëve të naftës në rafinerinë e…