GJENOCIDI DHE TERMI “SHFAROSJE”

07 qershor 2019 | 08:56

Shkruan: Bardhyl Mahmuti

-Shkrim drejtuar gazetarëve dhe atyre që merren me politikë

Që në fillim më duhet të përmendi dallimin që ekziston ndërmjet kuptimit të fjalës shqipe “shfarosje”  dhe përdorimit të kësaj fjale në dokumentet e të drejtës penale ndërkombëtare.

Në gjuhën shqipe fjala “shfarosje” ka kuptimin e zhdukjes së tërësishme ose asgjësimit të njerëzve dhe qenieve të gjalla. Kjo fjalë është përdorur për të përkthyer një kategorinë juridike të së drejtës penale, për të cilën në gjuhën angleze, atë frënge dhe disa gjuhë të tjera përdoret fjala “extermination”.

Fjala “extermination” ka prejardhje nga fjala latine “exterminare”, e cila përbëhet nga dy fjalë: fjala “ex”, që do të thotë “jashtë”, dhe fjala “terminus”, që do të thotë “kufij”, “fund” dhe ka kuptimin e “përndjekjes përtej kufijve”.

Fjala  “extermination” mund të ketë kuptime të ndryshme edhe në gjuhët që e përdorin. Por ajo që është me rëndësi për temën tonë ka të bëjë me faktin se termi “extermination” në të drejtën penale ndërkombëtare ka fushën kuptimore të përkufizuar qartë dhe në kuadër të fushës juridike duhet t’i përmbahemi me përpikëri këtij përkufizimi.

Në Statusin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare me nocionin “extermination” përkufizohet imponimi i qëllimshëm i kushteve të tilla të jetesës, si mungesa e ushqimit dhe e barnave, të parapara që të shkaktojnë shkatërrimin e një pjese të POPULLATËS [Statusi i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Neni 7, paragrafët 1 dhe 2, pika (b) në të dy paragrafët].

Statuti i Romës për Gjykatën Penale Ndërkombëtare është përkthyer edhe në gjuhën shqipe  dhe mund të konsultohet përmes internetit (https://www.legal-tools.org/doc/2ede1c/pdf/). Në këtë statut kategoria juridike “extermination” është përkthyer me fjalën shqipe “shfarosje”.  Nuk kam asgjë kundër pse është përdorur kjo fjalë për nocionin “extermination”. Mirëpo kur fjala “shfarosje” përdoret në kuadër të përshkrimit të krimeve që janë të përkufizuara me të drejtën penale ndërkombëtare, atëherë, kjo fjalë nuk mund të ketë kuptimin e zhdukjes së tërësishme apo asgjësimit të njerëzve.

Në këtë kontekst, “shfarosja”, si kategori juridike, ka vetëm kuptimin e imponimit të qëllimshëm të kushteve të tilla të jetesës, si privimi në ushqim dhe barna, të parapara që të shkaktojnë shkatërrimin e një pjese të POPULLATËS. Dhe si krim hyn në kuadër të krimeve kundër njerëzimit.

Sa i përket shprehjes “kushte të jetesës”, në dokumentin zyrtar të Kombeve të Bashkuara të titulluar “Elemente të krimeve”, në pjesën kushtuar “Gjenocidi nëpërmjet nënshtrimit të qëllimshëm të grupit në kushte të jetesës që do të shkaktonin shkatërrimin fizik të tërësishëm ose të pjesshëm të grupit”, sqarohet se “pa u kufizuar vetëm në këto veprime, shprehja kushte të jetesës mbulon aktet e qëllimshme që privojnë nga gjërat e domosdoshme për të mbijetuar, si ushqimi, shërbimet mjekësore, dëbimi sistematik nga vendbanimet” (Élémentdescrimes, Courpénaleinternationale, 2011, f.3, shënimi në fund të faqes).

Në të dy citatet e Statutit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare fjalën “POPULLATË” e kam shkruar me shkronja të mëdha, me qëllim që të vë theksin në një element që është thelbësor në cilësimin e krimeve.

Në rastet kur kemi të bëjmë me krime që janë kryer gjatë sulmeve të përmasave të gjera dhe sistematike të drejtuara  kundër cilësdo popullatë civile, me paramendim që të kryhen aktet e parapara në Nenin 7, paragrafi 1, të Statutit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, në mesin e të cilave edhe shfarosja[1], atëherë, kemi krim kundër njerëzimit.

Mirëpo nëse imponimi i kushteve të tilla të jetesës bëhet me qëllim që të shkatërrohetnjë grup kombëtar, etnik, racor ose fetar, atëherë, kemi të bëjmë me krimin e gjenocidit.

Në “Elemente të krimeve”, të përmendur më lart, precizohet:

  1. Autori i krimit nënshtron një ose më shumë persona në rrethana të caktuara jetese.
  2. Personi apo personat në fjalë i takojnë një grupi të veçantë kombëtar, etnik, racor ose fetar.
  3. Autori i krimit ka për qëllim që të shkatërrojë tërësisht ose pjesërisht këtë grup kombëtar, etnik, racor ose fetar, si të tillë.
  4. Kushtet e jetesës duhet të provokojnë shkatërrimin e tërësishëm ose të pjesshëm të këtij grupi…” (Élémentdescrimes, Courpénaleinternationale, 2011, f.3).

Vlen të theksohet se kur bëhet fjalë për nënshtrimin e qëllimshëm të grupit në kushte të jetesës që do të shkaktonin shkatërrimin fizik të tërësishëm ose të pjesshëm të grupit, si element i krimeve të gjenocidit, nuk përmendet termi “shfarosje”. Theksi vihet në privimin nga gjërat e domosdoshme për jetesë të anëtarëve të një grupi kombëtar, etnik, racor ose fetar, si i tillë.

Me një fjalë, kur vrasjet, dhunimet, dëbimet e dhunshme në funksion të spastrimit etnik, imponimi i kushteve që shkaktojnë shkatërrimin njerëzor bëhen me qëllim që të shkatërrohet tërësisht ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar, atëherë kemi të bëjmë me krimin e gjenocidit.

Prandaj kur flasim për krimet e forcave serbe gjatë luftës në Kosovë, sa herë të përdoret shprehja “popullata civile” duhet ta precizojmë se bëhet fjalë për civilë shqiptarë. Përndryshe, e zhvendosim krimin e gjenocidit në një kategori tjetër penale.

Për ilustrim do të përmend faktin se gjatë luftës në Kosovë, vetëm në vitin 1998, Serbia imponoi kushteve të tilla të jetesës që rrezikuan jetën e qindra mijëra shqiptarësh.

Dhuna e ushtruar nga forcat e armatosura serbe,në kuadër të zbatimit të politikës së gjenocidit në Kosovë, pati për pasojë zhvendosjen e 230 mijë personave, që kishin qenë të detyruar t’i braktisnin shtëpitë e tyre. Sipas Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara, nga ata që ishin zhvendosur në brendësi të Kosovës, 50 mijë shqiptarë ishin pa çati mbi kokë dhe në mungesë të gjërave elementare. Fakti se dimri po afrohej shtonte brengosjen deri në përmasa alarmuese. Përballë kësaj situate, më 23 shtatorit të vitit 1998, Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën nëpërmjet të së cilës  “alarmonte për rrezikun e katastrofës humanitare në Kosovë” (Kombet e Bashkuara, Këshilli i Sigurimit, S/RES/1199 1998, 23 shtator 1998).

Duke u mbështetur në këto norma të së drejtës penale ndërkombëtare, në Kosovë kemi të bëjmë me gjenocid në përputhje me Nenin 6, paragrafi (c) i Statutit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, sepse imponimi i kushteve të tilla të jetesës ishte bërë me qëllim që të shkaktojnë shkatërrimin fizik të tërësishëm ose të pjesshëm të kombit shqiptar.

Si konkluzion nga ajo që u tha më lart del qartë se jo “shfarosja”, në kuptimin si përdoret në gjuhën e përditshme, por QËLLIMI për të SHKATËRRUAR TËRËSISHT ose PJESËRISHT shqiptarët si grup kombëtar, etnik, ose fetar i ndryshëm nga serbët, përbën krimin e gjenocidit të Serbisë në Kosovë.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas shumë ditëve me reshje shiu, sot do të kemi…