Gjenocidi i pandëshkuar i Serbisë kundër shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë nuk ishte as i pari as i rastit
Fetnete Ramosaj
– Fjalë e autores në promovimin e librit “KUNDËR HARRESËS – GJENOCIDI I SERBISË NË KOSOVË 1998-1999”, (shqip-anglisht), organizuar nga Shoqata e Historianëve Shqiptarë në Maqedoni në bashkëpunim me Komunën e Çairit në Shkup
Të nderuar të pranishëm,
Më lejoni t’u falënderoj të gjithë që na keni nderuar me pjesëmarrjen tuaj në këtë promovim libri.
E falënderoj Shoqatën e Historianëve Shqiptarë në Maqedoni, kryetarin prof. dr. Skënder Asani, kryetarin e komunës së Çairit, prof. dr. Visar Ganiu, kolegun Besnik Rameti dhe të gjithë të tjerët që mundësuan që sot të jemi së bashku, pikërisht në Shkup, në njërën ndër kryeqendrat më të rëndësishme historike e kombëtare të mbarë kombit shqiptar.
Kjo monografi të cilën e promovojmë sot është një monografi e atyre qindra mijëra njerëzve tanë të sakrificave të paçmueshme, të pasqyruar në këtë monografi, por edhe të gjithë të tjerëve që e kishin fatin e njëjtë tragjik me ta.
Sado që dëshmitë faktike të përfshira në këtë monografi i kanë përmasat e historive të tmerrit e të barbarisë çnjerëzore, të aparteidit e të gjenocidit të pandëshkuar të Serbisë, saqë mendja e shëndoshë njerëzore nuk mund ta paramendojë se këtë mund t’ia ketë bërë njeriu-njeriut, megjithatë lirisht mund të themi se këto janë vetëm një pjesë e vogël e gjithë atyre akteve të tmerrshme të gjenocidit, të cilat Serbia okupuese i ka kryer ndaj popullsisë shqiptare pa dallim moshe e gjinie, në gjithë hapësirën etnike shqiptare, për më shumë se një shekull e gjysmë gjatë përpjekjeve të vazhdueshme për okupimin e trojeve etnike shqiptare.
Shumica e materialeve të përfshira në monografi i takojnë periudhës së luftës së fundit në Kosovë 1998-1999, por janë përfshirë edhe materiale të periudhave të mëhershme, duke filluar që nga spastrimi etnik nga popullsia shqiptare i Sanxhakut të Nishit në vitet 1876-1912, kur Serbia arriti t’i spastrojë etnikisht nga popullsia shqiptare mbi 714 fshatra shqiptare dhe më pas t’i serbizojë në tërësi; po ashtu edhe në periudhën e viteve 1912-1913 e në vitet që pasuan u kryen akte të tmerrshme të gjenocidit kundër shqiptarëve, kur vise të tëra shqiptare, qytete e fshatra që nga Shkupi, Kumanova, Dibra, Presheva, Prishtina, Peja, Gjakova, Kaçaniku e shumë e shumë të tjera u bënë rrafsh me tokë dhe u lanë me gjakun e popullsisë shqiptare.
Këto akte të mëhershme gjenocidale janë përfshirë për të treguar analogjinë e krimeve serbe, për të dëshmuar me argumente se aparteidi dhe gjenocidi që e kreu Serbia ndaj popullit shqiptar në fundshekullin XX, nuk ishte as i pari dhe as i rastit, por ishte përsëritur sa e sa herë që nga përpjekjet e para të pushtimit, gjithnjë duke i përsosur mjetet dhe veprimet e krimeve, gjithnjë duke u bazuar në platformat serbomëdha për shfarosjen e shqiptarëve, nëpërmjet plojave e masakrave makabre, që kishin filluar që nga përpjekjet për ngritjen e shtetit të Serbisë, në fillim të shek. XIX. Në këtë drejtim, programin sekret për krijimin e Serbisë së Madhe “Naçertanije”, të cilin ministri i brendshëm i Serbisë, Ilija Garashanin, e institucionalizoi si platformë politike dhe juridike shtetërore, që nga viti 1844, vazhdon të shërbejë si bazë e të gjitha planprogrameve shtetërore serbomëdha.
Është e tmerrshme analogjia e krimeve të përsëritura sa e sa herë, qoftë në shekullin XIX, qoftë në fillim të shekullit XX, në mes shekull e në fundshekullin XX. Për shembull, po të kemi parasysh dëshmitë se si është kryer ploja në krahinën e Rugovës, në Shtupeq të Madh, në dimrin e vitit 1919, kur janë therur në bajoneta e janë djegur në zjarrin e kullave të mbushura me sanë qindra civilë shqiptarë, madje edhe gra shtatzëna, foshnje e fëmijë të vegjël, shohim se të njëjtat akte të gjenocidit i kanë përsëritur edhe gjatë luftës më1998-1999 në shumë vise të Kosovës, duke i mbyllur nëpër shtëpi e duke i djegur në krematoriume. Përmendim këtu, vetëm rastin e Paklekut të Vjetër, komuna e Drenasit, ku në shtëpinë e Sinan Muqollit, forcat serbe i mbyllën në shtëpi 56 civilë shqiptarë, të cilët i vranë e disa prej tyre i dogjën për së gjalli pasi i lyen me benzinë: 36 prej tyre ishin femra; 26 ishin foshnja e fëmijë, më i vogli 2-muajsh.
Është me rëndësi të theksohet se format dhe metodat e kryerjes së krimeve akteve të gjenocidit nga forcat pushtuese të Serbisë anekënd Kosovës kanë qenë pothuajse identike, kanë qenë të ndryshme vetëm viktimat e shumta.
Pra, kjo e dëshmon se çdo gjë është zbatuar nëpërmjet planeve dhe direktivave shtetërore të Serbisë.
Tashmë është e vërtetuar nga dëshmi të shumta, disa prej tyre të botuara edhe në këtë monografi, se forcat serbe herë pas here gjatë operacioneve të tyre gjenocidale i kanë veshur uniforma të kamufluara, duke i përdorur emblemat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë operacioneve për vrasjet e spastrimin etnik ndaj popullsisë shqiptare, por edhe të tjerëve.
Kampi i përqendrimit në Burgun e Dubravës, komuna e Istogut, është ndër aktet më të tmerrshme të gjenocidit që janë kryer gjatë luftës në Kosovë. Në fund të muajit prill të vitit 1999, shumicën e të burgosurve shqiptarë i mblodhën nga të gjitha burgjet e Serbisë dhe i kthyen në objektet e Burgut të Dubravës, i cili që nga vera e vitit 1998 e deri atëherë kishte shërbyer si bazë e përqendrimit të njësive speciale të Serbisë, JSO, PJP etj. Prandaj, Serbia duke pasur informacione të sakta se ky burg ishte i komprometuar si vendqëndrim i forcave serbe ishte cak i sulmeve ajrore të NATO-s, Serbia i tërhoqi njësitet speciale të policisë e të ushtrisë serbe dhe në vend të tyre i burgosi rreth 1000 të burgosur politikë shqiptarë dhe pengje të luftës, por kishte edhe të burgosur shqiptarë që vuanin dënimin për krime ordinere. Të gjithë duarlidhur iu nënshtruan kasaphanës nga forcat serbe.
Është e rëndësishme të theksohet se sipas dëshmive të shumta, pothuajse në të gjitha rastet ku forcat serbe kanë kryer vrasje në masë, i kanë fotografuar dhe regjistruar në videokamera trupat e shqiptarëve të vrarë e të masakruar.
Fotografi e videoregjistrime të tilla forcat serbe kishin bërë edhe gjatë masakrës në Burgun e Dubravës. Po ashtu fotografi e videoregjistrime kishin bërë edhe në rastin e masakrës së Krushës së Vogël të Prizrenit. Por veprime të tilla kanë kryer edhe në shumë raste të tjera anekënd Kosovës. Shtrohet pyetja: Ku janë këto fotografi, ku janë këto videoxhirime?! Ka dëshmi se trupat e shqiptarëve të vrarë e të masakruar, Serbiapo i paraqet në arenën ndërkombëtare si viktima serbe, të vrarë nga shqiptarët-UÇK-ja apo nga NATO-ja. Siç është publikuar në mediet serbe dhe në ato ruse, është parë se fotografi të tilla janë përdorur në protestat e organizuara kundër Kosovës në Beograd e në Moskë, ku në disa raste konkretisht janë përdorur fotografi të viktimave shqiptare nga komuna e Gjakovës, të cilat i kanë paraqitur si viktima serbe.
Përveç plaçkitjes dhe shkatërrimit të pasurisë së shqiptarëve, shkatërrimit të qyteteve e fshatrave shqiptare, plaçkitjes dhe shkatërrimit të trashëgimisë kulturore e të dokumentacioneve administrative, u vranë e u masakruan mbi 12 mijë civilë shqiptarë, ende konsiderohen të zhdukur mbi 1660 persona, mbi një milion shqiptarë, të ballafaquar me vdekjen, u dëbuan jashtë Kosovës gjatë operacionit për spastrimin etnik, u përdhunuan rreth 20 mijë femra e meshkuj shqiptarë, madje edhe fëmijë 7-vjeçar; qindra fëmijë, madje edhe foshnja u vranë në barkun e nënave shqiptare me pretekstin se po i ekzekutonin“armiqtë e ardhshëm të Serbisë”!
Serbia ka shkuar aq larg sa që t’i vrasë vet edhe fëmijët serbë për t’i fajësuar shqiptarët. Përmendim këtu krimin monstruoz të kryer në kafenenë “Panda” në Pejë, më 14 dhjetor të vitit 1998, ku gjashtë të rinj serbë u vranë nga njësiti special i JSO-së, që ishte nën komandën e Sigurimit Shtetëror të Serbisë, dhe për këtë e fajësuan UÇK-në, i fajësuan shqiptarët!
Ndonëse aktin terrorist të vrasjes së të rinjve serbë në kafenenë “Panda” në Pejë, Serbia ua vuri në barrë shqiptarëve, përkatësisht Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për çka keqtrajtoi e burgosi qindra shqiptarë në Pejë,vetëm në vitin 2013 ajo zyrtarisht e pranoi krimin, por nuk ndërmori asnjë veprim për t’i dhënë epilog këtij krimi.
Paraprakisht, sipas dëshmive nga zyrtarë të lartë të ish-Qeverisë Jugosllave gjatë luftës, në nëntor të vitit 1998, Millosheviqi dhe “Shtabi Strategjik” i tij, kishte marrë vendimin për kryerjen e një serie të krimeve kundër serbëve dhe shqiptarëve të ekspozuar si mbështetës të Serbisë, për ta akuzuar UÇK-në.
Përveç këtyre, Serbia i ka fshehur humbjet e saj frontale gjatë gjithëluftës në Kosovë. Familjarëve të të vrarëve në Serbi nuk ua ka treguar të vërtetën për humbjet që i kanë pësuar në luftime me UÇK-në, prandaj tash këta të vrarë tenton t’i përdorë për qëllime dhe akuza të tjera për periudhën e pasluftës.
Përderisa, gjatë vitit 1998, forcat pushtuese serbe trupat e shqiptarëve,pasi i vrisnin e i masakronin, i digjnin nëpër shtëpitë e oborret e tyre, në furrat e termocentraleve në Obiliq, në furrat e Ferronikelit e të shkritoreve në Minierën e Trepçës,i hodhën në puse (bunare) të ujit të pijshëm e në gropa të gëlqeres,i varrosën në varreza masive e i zhvarrosën për t’i zhdukur pa gjurmë, apo për ta fajësuar UÇK-në kinse për vrasjen e tyre, gjatë vitit 1999, një pjesë të madhe të kufomave të civilëve shqiptarë(fëmijë, gra e pleq), të vrarë e të masakruar nga forcat okupuese serbe, i transportuan me kamionë frigoriferi për në Serbi,duke i varrosur në varreza sekrete masive në poligonet e policisë e të ushtrisë serbe-jugosllave për t’i zhdukur dhe shkatërruar provat e gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve. E tërë kjo u bë në kuadër të operacionit sekret“Spastrimi”(“Čiščenje”), për të cilin Millosheviqi dhe “Shtabi Strategjik” i tij kishte marrë vendim që në mars të vitit 1999. Në këtë operacion për zhdukjen e gjurmëve të krimeve kanë marrë pjesë strukturat më të larta shtetërore të Serbisë dhe të ish-mbetjes jugosllave (RFJ).
Deri më tani, në këto varreza sekrete masive në Serbi, janë gjetur trupat dhe mbetjet mortore të mbi 1000 civilëve shqiptarë nga anë të ndryshme të Kosovës, disa prej të cilëve i kishin zhvarrosur nga Kosova për në Serbi, por kishte edhe trupa të shqiptarëve të vrarë, që këto varreza sekrete masive i kishin varreza të para.
Sipas antropologëve ndërkombëtarë, të cilët i kanë mbikëqyrur zhvarrimet në Serbi, vetëm në varrezat sekrete masive në poligonet e Kazermës “13 Maji” në Batajnicë, të paktën trupat e 82 civilëve shqiptarë, kryesisht fëmijë e të rinj, para se të përfundonin në atë varrezë sekrete masive ishin trajtuar në spitale, duke e ngritur dyshimin e bazuar se atyre paraprakisht u janë marrë organet.
Viktima më e fundit e identifikuar nga të kthyerit nga varrezat sekrete masive të gjetura në Serbi, është foshnja 6-muajshe, Dafina Qelaj(e ekzekutuar në kraharorin e nënës së saj, gjatë masakrës që e kryen forcat serbe në Izbicë (Skenderaj), në mars të vitit 1999 .U varros më28 dhjetor 2017, në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në Izbicë. Ajou vra nga forcat ushtarake serbe të komanduara nga gjenerali serb Lubisha Dikoviq, aktualisht Shef i Shtatmadhorisë së Ushtrisë së Serbisë.
Dihet se krimet e luftës nuk vjetrohen. Populli shqiptar qoftë në Kosovë, qoftë në Maqedoni, qoftë në Kosovën Lindore, qoftë në Mal të Zi, në Shqipëri etj.,i ka pasur të njëjtat përvoja të hidhura, të njëjtat pësime. Prandaj,është e udhës që të bashkërendojmë punën dhe veprimtarinë për të zbardhur të vërtetën për krimet e luftës dhe gjenocidin serb kundër shqiptarëve, jo vetëm për luftën e fundit, por për gjithë gjenocidin e kryer gjatë njëqind e pesëdhjetë viteve të kaluara, për të kërkuar drejtësi për të rënët, për ta luftuar harresën, sepse përjetimet kanë qenë të tmerrshme dhe është e pafalshme nëse nuk mësojmë nga historia.