Gjenocidi në Çamëri, 80 vjet drejtësi e munguar
Lulëzim ETEMAJ
Shqiptarët, kahdo që të jenë, përkujtojnë këto ditë gjenocidin grek të ushtruar ndaj bashkëkombasve të tyre, banorë të Çamërisë. Dita e sotme na kujton padyshim një nga datat më tragjike, nga një varg datash të tilla, të ruajtura në kujtesë si akte të dhimbjes kulmore të Kombit tonë. Masakra në Kllogjer, e kryer më 25 qershor 1944 nga ushtria e gjeneralit famëkeq Napoleon Zerva, ku mbetën të vrarë ose vdiqën rrugës, përgjatë udhëtimit biblik në përpjekje për të shpëtuar kokën, mbi 2700 persona, shënon fillimin e gjenocidit grek ndaj çamëve.
Dy ditë më vonë, më 27 qershor, po këto forca kryen në zonën e Paramithisë një nga masakrat më të egra ndaj shqiptarëve, ku për pasojë mbetën të vrarë rreth 600 persona, burra, gra dhe fëmijë. Masakra e Pargës, Filatit, Igumenicës, Spatarit, të kryera në vitet 1944-1945, kanë përshkallëzuar gjenocidin grekë duke e ngritur, sipas statistikave të Shoqatës “Çamëria”, në gjithsejt 2771 numrin e civilëve shqiptarë të vrarë e të masakruar, krahas rreth 2800 të tjerëve të dëbuar dhunshëm nga shtëpitë e tyre, të cilave pasi janë plaçkitur u është vënë zjarri.
Ky gjenocid i ushtrisë greke, provon qëndrimin e Athinës zyrtare, që përmes vrasjeve dhe dëbimeve të përmasave gjenocidale të fshijë çdo gjurmë të ekzistencës së shqiptarëve në trojet e veta etnike. As gjenocidi grek i kryer këtu e 80 vjet më parë dhe as mohimi edhe sot e kësaj dite nga shteti grek i së drejtës së çamëve për të vizituar trojet stërgjyshore dhe pronat e tyre, nuk ia kanë arritur ta rrënojnë dot kujtimin dhe aspiratën e shqiptarëve që drejtësia evropiane ta thotë fjalën e vet, të munguar gjer më tani, mbi çështjen çame. Në këtë aspekt, roli dhe detyra e Kombit tonë mbeten të pazëvendësueshme.