GJENOCIDI I PA NDËSHKUAR GREK NË ÇAMËRI

27 qershor 2018 | 14:27

Lulëzim ETEMAJ

Shqiptarët, kahdo që të jenë, përkujtojnë këto ditë gjenocidin grek të ushtruar ndaj bashkëkombësve të tyre, banorë autoktonë të Çamërisë.
Dita e sotme na kujton padyshim një nga datat më tragjike, nga një varg datash të tilla, të ruajtura në kujtesë si akte të dhimbjes kulmore të Kombit tonë. Masakra në Kllogjer, e kryer më 25 qershor 1944 nga ushtria e gjeneralit famëkeq Napoleon Zerva, ku mbetën të vrarë ose vdiqën rrugës, përgjatë udhëtimit biblik në përpjekje për të shpëtuar kokën, mbi 2700 persona, shënon fillimin e gjenocidit grek ndaj çamëve, një nga më të rrallët dhe nga më të tmerrshmit në historinë e njerëzimit.

Dy ditë më vonë, më 27 qershor 1944, po këto forca kryen në zonën e Paramithisë një nga masakrat më të egra ndaj çamëve, ku për pasojë mbetën të vrarë rreth 600 persona, burra, gra dhe fëmijë. Masakra e Pargës, Filatit, Igumenicës, Spatarit, të kryera në vitet 1944-1945, kanë përshkallëzuar gjenocidin grekë duke e ngritur, sipas statistikave të Shoqatës “Çamëria”, në gjithsejtë 2771 numrin e civilëve shqiptarë të vrarë e të masakruar, krahas rreth 2800 të tjerëve të dëbuar dhunshëm nga shtëpitë e tyre, të cilave pasi janë plaçkitur u është vënë zjarri.

Ky gjenocid i ushtrisë greke, provon qëndrimin e Athinës zyrtare, që përmes vrasjeve dhe dëbimeve të përmasave gjenocidale të fshijë çdo gjurmë të ekzistencës së shqiptarëve në trojet e veta etnike.

Pavarësisht asaj se a është ende në fuqi apo jo vendimi i Kuvendit të Shqipërisë, i 30 qershorit 1994, përmes së cilit 27 qershori ishte shpallur si “Dita e Përkujtimit të Genocidit Çam”, shqiptarët, posaçërisht Tirana dhe Prishtina zyrtare, do të duhej të mos e lënë këtë ditë të kalojë në heshtje, por përmes veprimtarive të shumta, politike dhe diplomatike ta sensibilizojnë opinionin ndërkombëtar përkitazi me drejtësinë e munguar ndaj çështjes çame, përkatësisht mostrajtimin nga ana e drejtësisë ndërkombëtare të gjenocidit grek në Çamëri të kryer 74 vite më parë, kurse përmes veprimtarive të ndryshme përkujtimore si dhe marshimeve të organizuara paqësore drejt kufirit të Greqisë, të tregohet se qëndrojnë në këmbë dhe madje ende janë të freskëta shpresa dhe vullneti për kthimin e çamëve në vendin dhe pronat e tyre stërgjyshore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me vendim të kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliut,…