Gjenocidi serb në Kosovë, një dëshmi e pakontestueshme

13 tetor 2023 | 18:44

Recension i librit të Akademik Arsim Bajrami “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë” – aspekte juridike’ , bot. ASHAK, Prishtinë, 2023 

Prof. Ksenofon KRISAFI*

Botuar në DITA

Në fundin e vitit të kaluar Akademik Arsim Bajrami botojë një vepër madhore, që përfaqëson një pasurim substancial të fondit bibliografik të studimeve shqiptare, një studim tërësor, mjaft cilësor, gati ezaurues, nga më të mirët në literaturën tonë juridiko-penale dhe juridiko-ndërkombëtare. Ai titullohet Gjenocidi i Serbisë në Kosovë, aspekte juridike dhe ka për autor akademikun Arsim Bajrami. Ka 625 faqe, një parathënie dhe përmbledhje në gjuhët angleze e frënge dhe një numër të madh referencash bibliografike.

***

Është libri i tij i 22-të, që së bashku edhe me mbi 100 punime shkencore, në revista vendore dhe ndërkombëtare, formojnë një univers specifik krijues, intelektual, shkencor dhe akademik, që mban emrin e tij. Ai është produkt i një formimi dhe kualifikimi akademik e profesional nga më të spikaturit në fushën e studimeve juridike.

Prof. Bajrami bën pjesë te themeluesit e Departamentit të Shkencave Politike në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ka qenë prorektor dhe rektor i tij, ligjërues i jashtëm në Universitetin Shtetëror të Tetovës, në Universitetin e Evropës Juglindore, po në Tetovë, në Universitetin e Tiranës dhe në disa universitete në vende të tjera, në Europë, SHBA etj. Është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, autor botimesh cilesore, brenda dhe jashtë vendit etj. Aftësitë e veta, bashkuar edhe me përkushtimin e lartë atdhetar, i ka vënë në shërbim të veprimtarive politike e shtetërore në dobi të Kosovës. Ato nisin që nga pjesëmarrja në radhët e UÇK-së, në negociatat e Rambujesë, në grupin e autorëve të Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990, të Kushtetutës së Kaçanikut dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës, deputet i kuvendit të Kosovës në disa legjislatura, ish Ministër i Administratës Publike, ish Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, aktualisht pjesë e ekipit të mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi etj. Ai është organizator i një vargu konferencash dhe forumesh shkencore kombëtare e ndërkombëtare, ku ka kontribuar nëpërmjet kumtesash e referatesh me karakter të veçantë shkencor.

***

Libri Gjenocidi i Serbisë në Kosovë, aspekte juridike përshkohet nga një vështrim dhe analizë historike dhe juridike e krimit permanent serb dhe jo vetëm serb, në trojet shqiptare. Ai ka nisur që kur sllavët zbritën në Ballkan dhe pushtuan trojet e iliro-shqiptarëve, vijuan me inkursionet e ushtrive të car Stefan Dushanit, mori trajta të organizuara kur po themelohej shteti modern serb, me agresionet për zbatimin e vendimeve të Kongresit të Berlinit, vazhduan me mizoritë e luftërave ballkanike dhe periudhën pas tyre, më tej me Luftën e Parë Botërore dhe në vijim, mbetën pjesë e platformave strategjike afatgjata serbe, me synim kryesor asimilimin, asgjësimin fizik, dëbimin dhe spastrimin etnik të shqiptarëve. Ai nuk ka reshtur për asnjë çast dhe vazhdon ende me të ashtuquajturin spastrim të listave të gjendjes civile nga shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc si dhe me zhvillimet traumatike në veriun e Kosovës.

Prof. Bajrami nëpërmjet analizave shkencore të ngjarjeve, fakteve dhe të dhënave konkrete kontribuon për të përgënjeshtruar spekulimet për fshehjen ose relativizimin e së vërtetës mbi krimet serbe kundër njerëzimit, ekzekutimet dhe vrasjet masive, masakrat, holokaustin, trajtimet degraduese dhe çnjerëzore, përdhunimet e grave dhe vajzave, shpërnguljet dhe dëbimet e qindra mijëra kosovarëve, të cilat morën format e spastrimit etnik, gjenocidit, gendercidit, urbicidit, holodomorit etj.

Në këtë mënyrë drejtuesit aktualë të Serbisë shpresohet që të detyrohen të pranojnë autorësinë e pakontestueshme të gjenocidit në Kosovë, të njohin dhe të përballojnë përgjegjësitë përkatëse, politike, juridike, morale dhe materiale, për çka iu kanë bërë shqiptarëve, të kërkojnë falje, të japin garanci për mospërsëritjen e tyre në të ardhmen, të dënojnë autorët ose bashkautorët. Në këtë aspekt, Serbia ka rrugë të gjatë për të bërë për t’u qytetëruar, edukuar dhe demokratizuar, përndryshe ajo do të mbetet vatra e molepsur në Ballkan, burim konfliktesh e luftrash.

Arsim Bajrami
***

Në vitin 1944, kur Europën e kishte mbërthyer murtaja nazi-fashiste, fantazia vrastare e së cilës kishte tejkaluar çdo kufi të imagjinatës njerëzore, u përdor për herë të parë emërtimi gjenocid si definicion i këtij krimi. Ishte avokati polak Raphael Lemkin, i cili politikat shfarosëse të nazistëve, veçanërisht ndaj hebrenjve, i përkufizoi gjenocid, fjalë e krijuar nga bashkimi i “gen”, genos (greqisht) – “racë/fis” dhe “cid”, occidere (latinisht) – “të vrasësh”. Lemkin udhëhoqi edhe një fushatë ndërkombëtare për ta cilësuar gjenocidin si vepër penale, përpjekje që u konkretizua në Gjyqin e Nyrembergut kundër drejtuesve të lartë nazistë, ku termi “gjenocid”, u përmend për herë të parë si krim.

Edhe pas Nyrembergut, krimi i gjenocidit vazhdoi të trondiste ndërgjegjen e shoqërisë njerëzore, kryesisht në kontinente të tjera. Në fundin e shekullit të XX, ai u rikthye në Europë. E sollën serbët, të akuzuarit e përhershëm për gjenocid, fillimisht në Bosnjë dhe pastaj në Kosovë.

***

Disa vjet më vonë gjenocidi u adoptua si koncept dhe institut i së drejtës ndërkombëtare, si një nga llojet e krimeve kundër njerëzimit. Ajo e përfshiu atë në korpusin e vet për të kontribuar, për aq sa mundej si soft law, për parandalimin dhe dënimin e akteve të gjenocidit. Në fillim, përpjekjet u përqendruan në përpunimin teoriko-juridik të elementëve përbërës të tij dhe pranimin e emërtimit formal në të drejtën ndërkombëtare, kohë e cila përkon me vitet 1944–1948.

Akademik Bajrami ka përmendur se në literaturën juridiko-ndërkombëtare, atë historike madje edhe në publicistikë, qarkullojnë përcaktime që e konsiderojnë gjenocidin të turpshëm, krim të shëmtuar, problem themelor të të drejtave të njeriut, mohim të së drejtës për ekzistencë të grupeve të tëra, në po atë mënyrë që vrasja paraqet mohim të së drejtës për jetë të qënieve njerëzore, sulm frontal mbi vlerën e jetës njerëzore, mbi një vlerë abstrakte të mbrojtur në mënyra të ndryshme nga krimi që quhet vrasje etj.

Në librin e vet ai merret gjatë me Konventën mbi Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, e cila u miratua më 9 dhjetor 1948 nga OKB-ja dhe hyri në fuqi më 12 janar 1951. Palë e saj është edhe Shqipëria.

Në Preambulën dhe nenin 1 të Konventës thuhet se shtetet palë zotohen të bashkëpunojnë për të parandaluar dhe ndëshkuar gjenocidin, fatkeqësinë nga e cila duhet çliruar njerëzimi. Në vijim ajo rregullon problematikën komplekse dhe të ndërlikuar për identifikimin e rasteve të gjenocidit, vënien para përgjegjësisë dhe dënimin e merituar të autorëve përkatës.

Duke patur parasysh tërësinë e normave dhe parimeve bazë, sipas të cilave bashkësia ndërkombëtare trajton krimin e gjenocidit, akademik Bajrami ka sjellë për të interesuarit, institucionet politike, organet gjyqësore, familjarët e viktimave të gjenocidit serb, opinionin e gjerë publik etj, një vështrim shumëplanësh të gjenocidit serb në Kosovë.

Siç merret me mend ai ndalet veçanërisht te akti më i fundit i tij, i cili pati një bilanç tragjik, për shqiptarët. Autori thotë se bëhet fjalë për 13 mijë të vrarë, 1.5 milionë të deportuar nga Kosova, 20 mijë gra e vajza të dhunuara, disa varreza masive në Serbi si dhe për gjenocidin, spastrimin etnik dhe shkatërrimin ekonomik e social të Kosovës.

Larg qasjeve emocionale libri synon që të dokumentojë para komunitetit vendor dhe atij ndërkombëtar, në mënyrë realiste me fakte konkrete, se krimet e Serbisë, të kryera në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998 – 1999, janë gjenocid. Atë e kryen nëpërmjet analizës së fakteve juridike ndërkombëtare, praktikës të së Drejtës Penale ndërkombëtare dhe jurisprudencës së Gjykatës së Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.

***

Autori i librit Gjenocidi i Serbisë në Kosovë, aspekte juridike, synon së pari, të argumentojë juridikisht se krimet serbe në Kosovë gjatë viteve 1998 – 1999 plotësojnë 5 kriteret e Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimeve të Gjenocidit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për krimet e gjenocidit të vitit 1948.

Së dyti, të vërtetojë se gjenocidi serb në Kosovë ka qenë një ndërmarrje e organizuar, e planifikuar dhe e realizuar nga shteti serb, përmes forcave ushtarake e policore, organeve shtetërore dhe udhëheqësve zyrtarë shtetërorë e ushtarakë;

Së treti, të tregojë me fakte të pakundërshtueshme të vërtetën mbi luftën e drejtë çlirimtare të UÇK-së në Kosovë. Ai merret gjithashtu me tendencat e mohimit dhe relativizimit të gjenocidit ose vendosjes së simetrive fiktive ndërmjet tij dhe ndonjë eksesi individual gjatë luftës në Kosovë. Ato tentojnë të shtrembërojnë historinë e luftës së UÇK-së, duke inkriminuar themeluesit e saj dhe liderët kryesorë të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Evidentimi dhe analiza e hollësishme e gjenocidit serb në Kosovë, e ndërmarrë në librin Genocidi i Serbisë në Kosovë, aspekte juridike, me skrupulozitet shembullor shkencor, shtjelluar me gjuhë të pasur dhe gjithë kolorit, me stil mjaft tërheqës, shërben ndër të tjera edhe që brezat e ardhshëm, ta njohin më mirë historinë e të kaluarës së etërve dhe gjyshërve të vet. Në këtë mënyrë do të ndërgjegjësohen për të respektuar kujtimin e viktimave dhe të mbijetuarve dhe do të vlerësojnë e ndëshkojnë siç e meritojnë ata të cilët iu vranë atyre njerëzit dhe iu shkretuan vendin. Sepse, siç shprehet me të drejtë akademik Arsim Bajrami, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia, perspektiva euro-atlantike, arsimi cilësor dhe ndërmarrësia me inovacion, janë disa nga prioritetet e Dekadës së Re, për të rinjtë shqiptarë.

***

Nëpërmjet këtij libri të mrekullueshëm, me vlera të padyshimta akademike e shkencore, me arsyetime dhe argumentime të fuqishme juridike, vendosur mbi një sfond historik sa trishtues, por edhe po aq bindës, e bën të qartë se e ardhmja e Kosovës, sikurse e gjithë shqiptarëve, nuk mund të ndërtohet pa njohur të kaluarën, pa vlerësuar, afirmuar dhe mbrojtur arritjet e mëdha, posaçërisht luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përvojën demokratike të përpunuar nga forcat politike të Kosovës, posaçërisht nga presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova dhe pa u orientuar qartë e pa mëdyshje drejt proceseve integruese euro-atlantike.

*Autori është Dekan i Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, ish president dhe anëtar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për të tretën herë me radhë është mbajtur me dyer…