Gjeopolitikë: Ballkani Perëndimor pas refuzimit nga BE-ja
Prof. Dr. Blerim Reka
Më 18 tetor, Këshilli i BE-së shtyu fillimin e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për herë të tretë. Zyrtarisht, tri shtete anëtare, Franca, Danimarka dhe Holanda, ishin kundër bisedimeve. Por, vendimtar ishte vendimi i takonte presidentit francez Emmanuel Macron, i cili kërkoi një “metodologji të re” të zgjerimit – sipas të cilës anëtarësimi i plotë i vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të zëvendësohet me marrëveshje të tjera jo-anëtarësuese. Një raund i ri i zgjerimit pas një pauze 15-vjeçare, duket gjithnjë e më pak i mundshëm. Me sa duket, anëtarësimi do të zëvendësohet me “partneritete të veçanta”, ose ndoshta me Politikën Evropiane të Fqinjësisë– megjithëse kjo ka më pak të ngjarë.
Qasja kufizuese e BE-së drejt zgjerimit do të shkaktojë zhvillime të paparashikueshme gjeopolitike dhe të brendshme në Ballkanin Perëndimor. Lënia e pranimit në pritje, do të thotë një vakum strategjik në rajon, duke i lejuar zbarikimin në rajon të aktorëve jo-Euro-Atlantik. Duke mos shpresuar të bëhen pjesë e një Evrope të bashkuar, vendet e Ballkanit mund të kthehen në bashkimit brenda kufijve kombëtarë. Nëse projekti pan-Evropian dështon në rajon, atëherë Kosova mund të kërkojë të bashkohet me Shqipërinë, ose Serbia mund të përpiqet të integrojë entitetin boshnjak të Republika Srpska.
Në tetor, presidenti serb AleksandarVuçiq dhe presidenti i Republika Serpska Milorad Dodik u takuan me kryeministrin rus Dmitry Medvedev në Beograd dhe diskutuan për anëtarësimin në Bashkimin Euroazian. Serbia nënshkroi traktatin e pranimit më 25 tetor 2019. Presidenti Vuçiq u takua gjithashtu me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe kryeministrin shqiptar Edi Rama, në Novi Sad dhe më vonë edhe në Ohër, për të promovuar idenë e tij për një “mini-Shengen Ballkanik”, si një përpjekje për të zëvendësuar integrimin në BE me integrimin rajonal. Presidenti Vuçiq prezantoi projektin duke thënë: “Ne duhet të kujdesemi për veten tonë dhe duhet të mendojmë për lidhje rajonale pas refuzimit të BE-së”. Kosova dhe Mali i Zi e hodhën poshtë propozimin, duke e konsideruar atë një zëvendësim të rrezikshëm për anëtarësimin e rajonit në BE.
Sipas një studimi të fundit, në Maqedoninë e Veriut, 8.5 përqind e qytetarëve të saj e perceptojnë Serbinë si aleatin më të ngushtë të vendit, krahasuar me 7.7 përqind për Turqinë dhe vetëm 4.7 përqind për BE-në. Një qeveri e përkohshme do të jetë në detyrë deri në zgjedhjet e parakohshme në 12 prill 2020. Vendi është i gatshëm t’i bashkohet NATO-s, ku në fund të tetorit 2019, 86 përqind e anëtarëve të NATO-s kishin ratifikuar protokollin e pranimit.
Fundi i zgjerimit?
Sipas të gjitha gjasave, përgjigja e tretë negative e Brukselit për Tiranën dhe Shkupin jo vetëm që do të shkaktojë zhgënjimin e madh me BE-në, por mund të ndikojë në qeveritë, duke çuar në zgjedhje të parakohshme dhe konfigurime politike të paparashikueshme. Në Maqedoninë e Veriut, zgjedhjet e parakohshme janë caktuar për 12 prill të vitit të ardhshëm. Opozita në Shqipëri kohët e fundit ka kërkuar zgjedhje të parakohshme dhe dorëheqjen e kryeministrit Rama. Kjo e fundit ka hedhur poshtë kërkesat, por situata mund të eskalojë me shpejtësi.
A do të shtyjë ky zhgënjim popullor ndaj BE-së në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut drejt narracioneve më nacionaliste dhe qeverive të reja anti-BE?
Kjo nuk ka gjasa, duke marrë parasysh që të dy vendet kanë përsëritur përkushtimin e tyre për në BE. Në Maqedoninë e Veriut, presidenti StevoPendarovski dhe të gjitha partitë politike riafirmuan orientimin strategjik të vendit drejt BE-së dhe NATO-s, menjëherë pas njoftimit të Brukselit. Kryeministri shqiptar Rama poashtu deklaroi gatishmërinë e tij për të qëndruar në rrugën drejt integrimit në BE.
Por ky refuzim i tretë nga Këshilli i BE-së, megjithate i dërgoi mesazh rajonit se anëtarësimi i tyre në BE është i pasigurt. Rasti i Turqisë në relacion me BE, tregon se kjo mund të shtyjë rajonin drejt Rusisë. Ashtu si Kroacia, Turqia filloi negociatat e pranimit në tetor 2005, por që nga atëherë nuk është arritur përparim, dhe vendi tani është në një partneritet strategjik me Rusinë.
BE-ja bëri llogari të gabuar kur dështoi për të shpallur një datë për fillimin e negociatave të pranimit, (e që është vetëm fillimi i një procesi të gjatë), por qeveritë e Shqipërisë dhe Maqedonisësë Veriut janë gjithashtu përgjegjëse për këtë rezultat negativ. Sundimi i ligjit mbetet një parakusht kryesor për pranimin në BE. KE-ja kishte tetë kërkesa për Shqipërinë dhe katër për Maqedoninë e Veriut në këtë fushë. Të dy qeveritë e nënvlerësuan rëndësinë e këtyre kritereve, veçanërisht në një kohë kur sundimi i ligjit po bëhet një çështje thelbësore jo vetëm në nivelin e BE-së, por edhe për vendet anëtare të BE-së.
Për më tepër, strategjia e re franceze për Ballkanin Perëndimor – që mbështetet në doktrinën e presidentit Macron për integrim më të thellë, jo më të gjerë – me siguri do të jetë që të shtyjë zgjerimin në mënyrë të konsiderueshme. “Metodologjia e re” e propozuar do të çojë në një proces të ngadaltë, më kufizues dhe të kthyeshëm t negociatave anëtarësuese. Kjo gjithashtu mund të çojë në “pranimin e përkohshëm”, që do të thotë një formë e revokueshme e integrimit.
Me gjasë nuk do të ketë zgjerim para se të zhvillohet një reformë institucionale brenda BE. Modeli i ri i marrëdhënieve të BE-së me Ballkanin Perëndimor, i cili nuk do të garantojë anëtarësimin e plotë në BE, nuk përjashtohet. Përveç këtij orientimi strategjik, procedurat dhe instrumentet e zgjerimit do të rishikohen gjithashtu. Do të prezantohet edhe revokimi, i cili do t’i lejojë KE-së të tërhiqet gjatë procesit të pranimit nëse e vlerëson të nevojshme. E gjithë kjo do të zgjasë në mënyrë të konsiderueshme rrugën për anëtarësim. Prandaj, është joreale të pritet që një shtet i Ballkanit Perëndimor të hyjë në BE para vitit 2040.
Qasja e presidentit Macron ndaj Ballkanit Perëndimor nënkupton një qëndrim shumë më të ashpër ndaj procesit të zgjerimit të BE-së në rajon, duke kërkuar reforma të thella në sundimin e ligjit. Komisioni Evropian ndoqi hapat e Francës duke publikuar, në korrik 2019 “BluprintAction for Rule of Law“. Bazuar në këtë dokument të ri të KE-së, sundimi i ligjit do të jetë prioritet kryesor i Këshillit Evropian. Do të krijohet një cikël rishikimi për të monitoruar vendet anëtare, dhe një mekanizëm për të zbatuar sundimin e ligjit në nivel të BE-së,atëherë”kur mekanizmat kombëtarë do të ngecin”, ai do të vendoset. Nëse krijohet një mekanizëm më i rreptë monitorimi për anëtarët e tanishëm të BE-së, çfarë duhet të presim për shtetet kandidate? Ka të ngjarë që BE-ja, ashtu si Franca, të marrë një qasje shumë më të rreptë drejt zgjerimit të BE-së, me theks shtesë në shtetin juridik.
Degolizmi i ri
Implikimi i këtyre dy dokumenteve u bënë të qarta më 18 tetor, kur Këshilli Evropian nuk njoftoi një datë për fillimin e negociatave të pranimit. Në vend të kësaj, Këshilli deklaroi se do të rivlerësonte çështjen në mbledhjen e KE-së maj 2020 në Zagreb, megjithëse Italia po përpiqet ta përfshijë atë në agjendën e takimit së 19 nëntorit të Këshillit për Çështje të Përgjithshme.
Liderët kryesorë të BE-së (Donald Tusk, Jean-Claude Juncker, Johannes Hahn, FedericaMogherini) ishin zhgënjyer nga dështimi i KE-së për të shpallur një datë dhe Parlamenti Evropian ripësëriti kërkesën për negociatat anëtarësuese. Në Bullgarinë fqinje, një protestë kundër refuzimit të KE-së u organizua para Ambasadës franceze në Sofje, me protestuesit që akuzuan BE-në se, “ përsëri e la rajonin në periferi të historisë”.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë shprehur zhgënjimin e tyre me vendimin e KëshillitEvropian, kurse Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë pyeti: nëse ShBA-të ndajnë kufirin me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut? Kjo korrespondencë e pazakontë diplomatike midis Uashingtonit dhe Moskës tregon edhe një herë se Ballkani mbetet një vend strategjik në Evropë.
Në vitin 2020, pasi Mbretëria e Bashkuar të largohet nga BE-ja dhe kancelarja gjermane Angela Merkel të tërhiqet, Macroni do të mbetetsi udhëheqësi mbizotërues në Evropë. Ai mund të miratojë një qëndrim të ngjashëm me atë të presidentit Charles de Goll pas Luftës së Dytë Botërore: Franca lart, Gjermania poshtë dhe Britania e Madhe jashtë.
Ky vizion mund të krijojë ndarje të thella në të gjithë kontinentin, duke përplasur Evropën e vjetër me Evropën e re; veriun me jugun; qendrën me periferinë. Nëse Ballkani Perëndimor mbetet jashtë BE-së, vendet e tij mund të “importojnë” modelin qeverisës të kryeministrit hungarez Orban të demokracisë iliberale dhe ngadalë t’iu kthehen sistemeve para–demokratike.
Skenarët
Skenari më i mundshëm nga një këndvështrim gjeopolitik është që refuzimi i Këshillit të BE-së do të prekë gjithë rajonin, jo vetëm Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Mund të ketë dëme anësore, por humbja kryesore do të jetë uniteti evropian. Siç përmendi Komisari Evropian për Fqinjësinë Evropiane dhe Zgjerimin, Johannes Hahn, vendimi rrezikon “destabilizimin e Ballkanit Perëndimor”. Por tani, si do t’i bindë Brukseli, gjashtë vendet e rajonit që prisnin me dekada para dyerve të tij që përpjekjet e tyre për t’u anëtarësuar? Si do t’i bindë BE-ja Kosovën dhe Serbinë që t’i normalizojnë marrëdhëniet e tyre bilaterale nëse Brukseli refuzon të shpërblejë marrëveshjen Maqedoni-Greqi për emrin?
Vendet e Ballkanit Perëndimor aktualisht gjenden në një situatë të ngjashme me Evropën Qendrore dhe Lindore në vitet 1990 –duke u përballur me një të ardhme të pasigurt, duke pritur të shohin nëse do të bëhen anëtarë të Unionit një ditë. Të humbësh shpresat duke zëvendësuar anëtarësimin me një partneritet strategjik të modeluar në politikën e fqinjësisë Evropiane, do të ishte një gabim strategjik.
Ndikimi në rajon ka të ngjarë të jetë edhe më i keq. Vendet kandidate nuk do të jenë të gatshme të presin për “metodologjinë e re” të paralajmëruar të anëtarësimit, duke ndjerë se mungesa e planifikimit strategjik mund t’i linte ato të qëndrojnë para derës së BE-së edhe për njëzet vjet të tjera. Pasiguria ka vazhduar për një kohë të gjatë, veçanërisht tani kur rajoni përballet me migrime kaq akute demografike. Planifikimi i paqartë evropian do t’ia hapë derën kërcënimeve të sigurisë. Paratë kineze dhe armët ruse do të ofrojnë një alternative për rajonin.
Për koincidencë, më 24 tetor, një tren mbërriti në Beograd nga Kina, duke përuruar një hekurudhë të re për bartjen e mallrave midis dy vendeve. Në të njëjtën ditë, sistemet raketore S-400 ruse mbërritën në Serbi. Një ditë më vonë, kryeministrja serbe Ana Brnabiq nënshkroi traktatin e pranimit të Bashkimit Euro-Aaziatik, duke iu bashkuar projektit të Moskës për integrim rajonal. Pas 20 vjet pritjesh të pafrytshme dhe asnjë qartësi përpara, BE-ja rrezikon ta lë rajonin larg Evropës dhe drejt integrimit rajonal me Lindjen.
Vendet e Ballkanit janë shumë të vogla për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe kanë nevojë për aleanca ndërkombëtare. Të braktisura nga BE-ja, vetëm anëtarësimi i tyre në NATO do të parandalojë që historia të përsëritet.
(Botuar në Geopolitical Intelligence Services. Nga anglishtja përktheu dhe përshtati: Arsim R. Osmani)