Gjeorgji-Shqipëri do të gjykohet nga një arbitër i njohur holandez
Kombëtarja e Shqipërisë të hënën në orën 18:00 luan në Tbilisi kundër Gjeorgjisë për ndeshjen e katërt në Grupin B1 të Ligës së Kombeve.
UEFA ka vendosur tanimë edhe arbitrin e ndeshjes së kuqezinjve, me holandezin Danny Makkelie që nuk është i panjohur për tanët. 41-vjeçari është emër i njohur për Shqipërinë, pasi ishte arbitër kryesor në “Air Albania” më 12 tetorin e 2023, aty ku Shqipëria mposhti 3-0 Çekinë në kualifikueset e Euro 2024.
Ndihmës të Danny Makkelie do jenë bashkëkombësit e tij, Hessel Streegstra, Jan de Vries dhe Allard Lindhout. Në VAR do jenë Rob Dieperink dhe Eruin Blank.
Arbitri Danny Makkelie ishte pjesë edhe e finaleve të Euro 2024, ku ‘u përjashtua’ pas fazës së grupeve për polemikat e shumta kundër tij pas dy ndeshjeve, Gjermani-Hungari dhe Itali-Kroaci.