Gjeorgjia nënshkruan ligjin kundër komunitetit LGBTQ+
Kryetari i parlamentit të Gjeorgjisë nënshkroi të enjten ligjin që kufizon rëndë të drejtat e komunitetit LGBTQ+ në këtë shtet dhe që imiton ligjet e miratuara në Rusinë fqinje.
Kryetari i parlamentit Shalva Papuashvili, njoftoi përmes rrjeteve sociale se ligji “nuk pasqyron idetë dhe ideologjitë aktuale, të përkohshme dhe të ndryshueshme, por bazohet te arsyeja, përvoja historike dhe vlerat e lashtë të krishtera, gjeorgjiane dhe evropiane”.
Presidentja gjeorgjiane Salome Zourabichvili refuzoi ta nënshkruante ligjin dhe ia ktheu atë parlamentit të mërkurën. Ligj u paraqit nga partia ‘Ëndrra Gjeorgjiane” dhe ishte miratuar nga ligjvënësit muajin e kaluar.
Ligji përfshin ndalimin e martesave ndërmjet gjinisë së njejtë, birësimit të fëmijëve nga çiftet që i takojnë gjinisë së njejtë, si dhe përkrahjen publike, apo mbulimin nga media të marrëdhënieve, apo pjesëtarëve të komunitetit LGBTQ+. Ai gjithashtu ndalon kujdesin mjekësor për personat që ndryshojnë gjininë dhe ndalon ndyrshimin e identifikimit gjinor në dokumentet zytare.
“Ky ligj mbron të drejtat e të gjithë qytetarëve, përfshirë lirinë e të shprehurit, në mënyrë që të drejtat e të tjerëve të mos shkelen, që është edhe thelbi dhe ideja e një demokracie të vërtëtë”, tha zoti Papuashvili.
Parlamenti i dha miratimin përfundimtar ligjit ndërkohë që Gjeorgjia, një shtet kryesisht konservator, ku Kisha Ortodokse ka një ndikim të rëndësishëm, përgatitet për zgjedhjet parlamentare.
Shumë e konsiderojnë ligjin si një përpjekje të partisë në pushtet për të fituar përkrahjen e grupeve konservatore. Ligji është kritikuar nga aktivistët e të drejtave të njeriut dhe të komunitetit LGBTQ+, të cilët thonë se ai godet më tej një komunitet tashmë të brishtë.
Duke nënshkruar ligjin, partia ‘Ëndrra Gjeorgjiane’ “po e çon homofobinë në një nivel të ri, në një homofobi politike dhe institucionale”, tha aktivistja Ana Tavadze, nga organizata ‘Tbilisi Pride’.
Qëllimi i kësaj partie është “të fabrikojë” probleme para zgjedhjeve për të larguar vëmendjen e njerëzve nga “dështimet” për të zgjidhur probelemet si papunësia, arsimi dhe përkujdesi shëndetësor, i tha aktivistja Tavadze agjencisë Associated Press.
Ligji ka nxitur krahasime me Rusinë, ku Kremlini nënvizon ato që i quan vlera tradicionale të familjes. Autoritetet ruse në dekadën e fundit kanë ndaluar mbështetjen publike për “marrëdhëniet seksuale jotradicionale” dhe kanë hartuar ligje kundër përkujdesjes mjekësore për ndryshim gjinie, në kuadër të masave të tjera.
Gjykata e saj e Lartë pothuajse e ka shpallur të jashtëligjshëm aktivizmin për çështjet LGBTQ+ duke e etiketuar atë si organizatë ekstremiste dhe duke ndaluar aktivitetet e saj.
Në Gjeorgji, komuniteti LGBTQ+ ka hasur në vështirësi para se të hartohej ky ligj. Demonstratat dhe incidentet e dhunshme kundër pjesëtarëve të komunitetit LGBTQ+ ishin të shpeshta dhe vitin e kaluar qindra kundërshtarë të të drejtave të këtij komuniteti hynë me dhunë në një festival të tij në kryeqytetin gjeorgjian Tbilisi, duke detyruar anulimin e tij.
Këtë vit, dhjetëra mijëra marshuan në Tbilisi për të promovuar “vlerat tradicionale familjare”.
Një ditë pasi parlamenti miratoi ligjin kundër komunitetit LGBTQ+, aktorja dhe modelja transgjinore Kesaria Avramidze u godit për vdekje me thikë në banesën e saj në Tbilisi. Aktivistët e të drejtave të njeriut janë të shqetësuar se ligji do të nxisë më shumë dhunë.
Kryetari i parlamentit Papuashvili tha se duke mos e nënshkruar ligjin, Presidentja Zourabichvili dhe opozita gjeorgjiane “nuk patën guxim të mjaftueshëm që haptas të shprehnin mendimin e tyre për këtë ligj”.
Disa analistë thonë se një pjesë e opozitës në Gjeorgji po tregohet e kujdesshme pata zgjedhjeve të 26 tetorit duke mos dënuar veprimet që kufizojnë të drejtat e komunitetit LGBTQ+ për të mos larguar një pjesë të votuesve.
Presidentja Zourabichvili ka kohë që nuk ka marrëdhënie të mira me partinë në pushtet. Ajo i vuri veton ligjit për “ndikimin e huaj”, i cili u miratua nga parlamenti në fillim të këtij viti. Por parlamenti, ku dominon partia ‘Ëndrra Gjeorgjiane’, e rivotoi dhe e mirartoi ligjin.
Kundërshtarët e këtij ligjit e krahasojnë atë me ligjin rus, të cilin autoritetet e përdorin për të shtypur mendimin ndryshe dhe akuzojnë partinë në pushtet se po vepron në bashkërendim me Moskën, duke rrezikuar shanset e Gjeorgjisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Ky shtet i Kaukazint Jugor me 3.7 milionë banorë, ka aplikuar zyrtarisht për t’u anëtarësuar në BE në vitin 2022, pas sulmit të Rusisë në Ukrainë, por BE-ja e ka pezulluar procesin si reagim ndaj miratimit të ligjit për “ndikimin e huaj” dhe ka ngrirë pjesë të paketës së saj financiare për këtë vend. Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj dhjetëra zyrtarëve gjeorgjianë për shkak të këtij ligji.
Partia ‘Ëndrra Gjeorgjiane’ është themeluar nga miliarderi Bidzina Ivanishvili, i cili e krijoi pasurinë e tij në Rusi dhe shërbeu si kryeministër i Gjeorgjisë në vitin 2012.
Kjo parti premtoi të jetësonte të drejtat qytetare dhe të “riniste” marrëdhëniet me Moskën, e cila zhvilloi një luftë të shkurtë me Gjeorgjinë në vitin 2008 rreth Osetisë Jugore, krahinë që kërkon të shkëputet nga Gjeorgjia. Më pas, Rusia njohu pavarësinë e Osetisë Jugore dhe të Abkhazisë, krahinës tjetër që kërkon shkëputje dhe vendosi atje bazat e saj ushtarake.
Shumë gjeorgjianë mbështetën Ukrainën ndërsa Kievi iu kundërpërgjigj sulmit të Rusisë në vitin 2022. Por qeveria gjeorgjiane abstenoi për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Moskës, ndaloi hyrjen e dhjetëra kritikëve të Kremlinit në Gjeorgji dhe akuzoi Perëndimin se po përpiqet të fusë Gjeorgjinë në konflikt të hapur me Rusinë. Opozita e ka akuzuar partinë në pushtet se po e çon Gjeorgjinë drejt orbitës së Rusisë duke rrezikuar aspiratat evropiane të vendit./VOA