Gjeraj: Liria kërkon pikë në Drenicë

20 tetor 2018 | 08:16

Drenica dhe Lira përballen sot në stadiumin “Bajram Aliu” në kuadër të xhiros së njëmbëdhjetë në IPKO Superligë.

Mbrojtësi i KF Liria, Robert Gjeraj, ka thënë të premten për “Epokën e re” se skuadra nga Prizreni kërkon rezultat pozitiv në ndeshjen që zhvillohet sot (e shtunë) në Skenderaj ndaj Drenicës. Futbollisti me përvojë të madhe në skuadrën e Lirisë ka konfirmuar se mungesa nuk ka në klub dhe se synimi i tyre është t’u rikthehen rezultateve pozitive nga kjo ndeshje.

“Ne duhet ta harrojmë sa ma shpejt që është e mundur humbjen nga Trepça ’89 dhe që në ndeshjen me Drenicën të marrim rezultat pozitiv. Në Skenderaj shkojmë për të marrë rezultat të favorshëm. Dhe, kjo është e mundshme, pasi këtë edicion secila skuadër mund ta mposhtë skuadrën tjetër. Mungesa nuk kemi dhe jemi të përgatitur dhe të motivuar maksimalisht që ta kthejmë vetëbesimin dhe të marrim rezultate sa më të mira në xhirot e ardhshme”, ka thënë Gjeraj.

Për ndeshjen ndaj Lirisë për gazetë ka folur edhe mesfushori i Drenicës, Taulant Dajaku. Ky i fundit ka shkuar edhe më larg, duke kërkuar maksimumin e pikëve në ndeshjen që zhvillohet në kuadër të xhiros së njëmbëdhjetë në IPKO Superligë. Mesfushori që është një nga lojtarët me përvojën më të madhe në skuadrën kuqezi ka kërkuar nga shikuesit ta mbushin stadiumin në mënyrë që marrja e tri pikëve të jetë më e lehtë.

“Ndeshja e radhës do të jetë shumë e vështirë, pasi jemi të obliguar të fitojmë. Kjo do të ishte e vetmja formë për të treguar dhe vlerësuar pikët e marra ndaj Flamurtarit. Dua të besoj se stadiumi ynë do të jetë plot me tifozë në mënyrë që ekipi ta japë më të mirën dhe ta marrë fitoren e radhës”, ka thënë Dajaku.

Drenica renditet e pesta me 15 pikë, kurse Liria është e dhjeta me katër pikë.

Sot (e shtunë) zhvillohen edhe tri ndeshje të tjera derbi, kurse të dielën zhvillohen dy ndeshjet e fundit për këtë xhiro.

IPKO Superliga

Të shtunën takohen:
14:45 Ballkani – Flamurtari
14:45 Ferizaj – Drita
14:45 Drenica – Liria
15:00 Prishtina – KEK-u
Të dielën takohen:
14:45 Trepça ’89 – Llapi
14:45 Gjilani – Feronikeli

LIGA E PARË

Fushë Kosova – Vushtrria
2 Korriku – Bashkimi (K)
Drenasi – Istogu
Dukagjini – Besa
Onix – Vitia
Vëllaznimi – Vllaznia
Arbëria – Kika
Ramiz Sadiku – Trepça

/Veton ZYMBERI/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë sot në rend dite e…