Gjermanët tregojnë anën e errët dhe të fshehtat e Bellingamit
Jo gjithçka që shkëlqen te ylli i ri i Realit është flori. Në Madrid janë të mrekulluar me muajt e parë të anglezit Xhud Bellingam.
Por nuk ndajnë të njëjtin opinion në Gjermani, ku me sa duket mesfushori nuk ka lënë kujtime shumë të këndshme në dhomat e zhveshjes së Dortmundit. Të paktën kështu nënvizon tabloidi gjerman “Bild”, që është rrekur të sqarojë ato që i konsideron si anët e errëta të Bellingamit.
Gazeta gjermane në fjalë ka shkruar në numrin e djeshëm të saj se disa nga peshat e rënda të Borusias së Dortmundit janë shprehur të lumtur për largimin e tij për shkak të dëshirës së lojtarit për të qenë në qendër të vëmendjes, temperamentit dhe trajtimit abuziv të disa prej ish-shokëve të tij të skuadrës. “Bild” pretendon se “ndjenja anti-Bellingam” në Dortmund u krijua pikërisht për shkak të sjelljes së tij. Largimi i tij, thekson “Bild”, ka qenë i dobishëm për klimën në dhomën e zhveshjes së verdhezinjve, e cila kujton se anglezi ka ofenduar rëndë Niko Shulcin gjatë një ndeshjeje të Ligës së Kampioneve në shkurt 2022.
“Nuk mund të japësh një pasim të ndyrë të mirë. Ti je një k**vë e ndyrë! Gjithmonë njësoj”, i bërtiti Bellingami në një ndeshje kundër Rejnxhërsit, që përfundoi 2-2. Zënkat e tij në stërvitje dhe në pushimet e lojës ishin gjithashtu të zakonshme dhe kjo sjellje nuk pëlqehej aspak në Dortmund. I zgjedhur kapiteni i tretë i Dortmundit në sezonin e tij të fundit, lojtarët e Borusias denoncojnë se ai ka shërbyer rrallë si i tillë. “Ai merrte pak rol udhëheqësi, asnjëherë nuk ndihej kur duhej të bënte liderin”, shkruan gazeta “Bild”.
Përveç kësaj, ai u dha pak mbështetje shokëve të tij si kapiten i ekipit, transmeton gazeta gjermane. Sidoqoftë, një nga gjërat më pak të pëlqyera në lidhje me Bellingamin në Dortmund ishte gatishmëria e tij për të dashur të jetë gjithmonë në qendër të vëmendjes për tifozët. “Shokët e skuadrës ishin dytësore për të”, shpjegon gazeta.