Gjermani: Hiqet izolimi, rriten rastet me koronavirus
Një javë pasi Gjermania ka hequr disa masa kundër koronavirusit, autoritetet kanë raportuar një rritje të lehtë të nivelit të riprodhimit të virusit.
Instituti “Robert Koch” ka theksuar se niveli i riprodhimit është rritur nga 0.9 sa ka qenë tani vonë, në 1.0. Çdo shifër nën 1 nënkupton se virusi është duke rënë, ndërsa gjithçka mbi 1 do të thotë se po rritet.
Në fillim të marsit, niveli i riprodhimit ishte 3.0, ndërsa më 8 prill ka qenë 1.3, shkruan “Rel”.
Instituti “Robert Koch” për sëmundje infektive njoftoi se ka regjistruar edhe 1 144 raste të reja me koronavirus, që e rrisin në 156 337 numrin e përgjithshëm të të infektuarve në Gjermani.
Sipas të njëjtit burim, numri i viktimave u rrit me 163, në 5 913. Kur ka bërë të ditur lehtësimin e masave të izolimit, kancelarja Angela Merkel, ka shtuar se edhe ndryshimi më i vogël në nivelin e riprodhimit të virusit mund ta ndikojë në përgjigjen e qeverisë.
Gjermania ka një bilanc më të vogël viktimash krahasuar me vendet tjera evropiane: Italinë, Spanjën, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar, secila me mbi 20 000 të vdekur. Suksesi relativ i Gjermanisë në trajtimin e koronavirusit u është atribuar kryesisht testimeve masive.