Gjermania dhe Franca kërkojnë rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi nën udhëheqjen e BE-së
Përmes një shkrimi të përbashkët, ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe të Francës kanë kërkuar rifillimin e menjëhershëm të dialogut Kosovë – Serbi nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian.
Ministri francez Jean-Yves Le Drian dhe ai gjerman Heiko Maas kanë thënë se janë të vendosur që të zgjidhin të gjitha pengesat e mbetura mes Serbisë e Kosovës.
Ata e shohin situatën e pazgjidhur mes vendeve si faktor destabilizues për tërë Ballkanin Perëndimor dhe si çështje të sigurisë evropiane. Sipas tyre, situata e pazgjidhur pengon përparimin politik të vendeve. Të dy kanë bërë thirrje që qëllimi i dialogut duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje juridikisht detyruese mes Kosovës e Serbisë.
“Për këtë qëllim shtetet anëtare të BE-së emëruan një nga diplomatët më të aftë të Evropës, Miroslav Lajçak, si të dërguar special për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, si dhe për çështje të tjera rajonale. Franca dhe Gjermania janë të gatshme të mbështesin atë dhe ekipin e tij me të gjithë potencialin politik, diplomatik dhe ekonomik. Në prill të vitit 2019, kancelarja Merkel dhe presidenti Macron ftuan udhëheqësit e rajonit në një samit në Berlin. Tani që Miroslav Lajçak ka marrë detyrën, është koha që dialogu të rifillojë. Qëllimi duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse, juridikisht detyruese midis Beogradit dhe Prishtinës, e cila i zgjidh të gjitha çështjet e hapura dhe kontribuon në stabilitetin e rajonit. Presidenti Macron ka deklaruar gatishmërinë e tij për të mbajtur një samit të dytë në Paris. Sidoqoftë, gatishmëria për dialog është një parakusht për këtë”, kanë thënë ata në shkrimin që është botuar sot në Koha Ditore.