Gjermania dhe Franca kundërshtojnë ndalesën e vizave për rusët
Një propozim i anëtarëve të Bashkimit Evropian (BE) për të ndaluar vizat turistike për rusët për shkak të luftës në Ukrainë, duket se po përballet me pengesa të mëdha.
Ministrat e BE-së do të takohen sot në Pragë të Republikës Çeke për të diskutuar për këtë propozim.
Franca dhe Gjermania kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët pak kohë para takimit, duke thënë se çështja e kufizimit të vizave për rusët do të ishte kundërproduktive, teksa BE-ja po tenton të fitojë “zemrat dhe mendjet” e rusëve që nuk e mbështesin agresionin e paprovokuar të Moskës ndaj Ukrainës.
Çështja e ndalimit të vizave për rusët është aktualizuar ditëve të fundit nga disa shtete të BE-së, por për këtë çështje duhet një vendim unanim i të 27 shteteve anëtare, në mënyrë që të shndërrohet në sanksion të ri kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
“Ne duhet të mendojmë për mënyra të mençura për të përdorur këtë levë të rëndësishme, që është lëshimi i vizave. Përderisa kufizojmë kontaktet me përfaqësuesit e regjimit dhe autoriteteve në tema të interesit vital të BE-së, ne duhet të luftojmë në mënyrë strategjike për të fituar zemrat dhe mendjet e popullatës ruse – të paktën e atyre segmenteve që nuk janë shkëputur krejtësisht nga Perëndimi”, është thënë në deklaratën e përbashkët të Gjermanisë dhe Francës, duke sugjeruar se blloku duhet të vazhdojë të ofrojë viza për studentët, artistët, shkencëtarët dhe profesionistët e tjerë kyçë që duan të hyjnë në BE.
Shtetet që ndajnë kufirin me Rusinë – shtetet e Baltikut, Polonia dhe Finlanda – janë nismëtare për vendosjen e kufizimeve sa i përket lëshimit të vizave turistike për rusët. Përderisa BE-ja ka vendosura ndalesa në fluturimet nga Rusia, shumica e udhëtarëve përdorin kufijtë tokësorë për të udhëtuar në shtetet e bllokut.
Një marrëveshje e vitit 2007, ka mundësuar lehtësimin e kritereve për marrjen e vizave të BE-së nga rusët, por kjo marrëveshje është pezulluar pjesërisht në fund të shkurtit, duke u pamundësuar udhëtimin në bllok personave të afërt me presidentin rus, Vladimir Putin.
Por, rusët e zakonshëm nuk u prekën nga kjo ndalesë dhe ata ende gëzojnë përfitime lehtësuese nga kjo marrëveshje, e cila ul kohën e pritjes dhe të kostos, por edhe kërkon më pak dokumente për aplikim për vizë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar nga BE-ja që të ndalojë lëshimin e vizave për të gjithë shtetasit rusë, me qëllim që të ndëshkojë Moskën për pushtimin e paprovokuar të shtetit të tij.
Por, gjatë një interviste për “Radion Evropa e Lirë”, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka thënë më 29 gusht se “veçse ka pasur një pezullim të pjesshëm” sa i përket regjimit të vizave.
“Nuk do të thosha se asnjë rus nuk mund të shkojë kurrë në Evropë, për çfarëdo arsyeje. Por, u takon ministrave të vendosin”, ka thënë ai.
Borrelli ka thënë se pret të marrë miratimin e ministrave të BE-së që po takohen në Pragë edhe për nisjen e punës në një mision trajnues të ushtrisë ukrainase.