Gjermania dhuron 15 respiratorë për QKUK-në
Gjermania ia ka dhuruar Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) 15 respiratorë, si mbështetje për luftën kundër COVID-19.
Donacioni është bërë të enjten përmes ambasadës gjermane në Prishtinë.
Sipas njoftimit të QKUK-së, vlera e donacionit është 437 mijë euro.
Ambasadori gjerman në Prishtinë, Joern Rohde, shpreson që pajisjet e reja të përdorën sa më pak.
“Po i afrohemi sezonit të dimrit dhe mund të ketë rritje të rasteve jo vetëm në Kosovë, por edhe në vendet tjera. 15 respiratorët janë nga firma Drager e Republikës Federale të Gjermanisë. Është kënaqësi t’i dorëzoj këtu, meqë janë prodhuar nga vendi ynë”, tha ambasadori Rohde.
Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj dhe ushtruesi i drejtorit të Shërbimit Spitalor Universitar Kosovës, Valbon Krasniqi, kanë mirëpritur dhe falënderuar Gjermaninë për këtë ndihmë.