Gjermania do të blejë 30 milionë doza “Sputnik V”
Gjermania do të blejë deri në një total prej 30 milionë dozash të vaksinës ruse Sputnik V në qershor, korrik dhe gusht.
Ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn tha në fillim të këtij muaji se Gjermania po negocionte me Rusinë për një marrëveshje për Sputnik V. Kryeministri i shtetit të Saksonisë, Michael Kretschmer ka bërë të ditur se dozat do të merren në tre grupe me 10 milionë doza.
Dozat e vaksinës ruse do të vijnë pas marrjes së miratimit edhe nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), për të cilën zyrtarët gjermanë shpresojnë që të ndodhë deri në muajin e ardhshëm.
Vaksina Sputnik V aktualisht është administruar në 61 vende por nuk ka marrë ende dritën jeshile nga EMA. Aktualisht po i nënshtrohet një rishikimi për sigurinë, efikasitetin dhe cilësinë ndërsa nuk mund të parashikojë një afat kohor për autorizimin.
Vaksina Sputnik V është 91,6% efektive, në bazë të rezultateve të provës klinike të Fazës III të botuara në The Lancet. Deri më tani, BE ka miratuar vaksinën nga Moderna, Oxford/AstraZeneca, Johnson & Johnson dhe Pfizer/BioNTech.
Sputnik V, nëse miratohet, do të ishte vaksina e parë jo-perëndimore që do të shpërndahej në të gjithë bllokun. BE ka filluar të përshpejtojë fushatën e vaksinimit pas një fushate tejet të ngadaltë por disa besojnë se kjo mund të mos jetë e mjaftueshme.
Hungaria dhe Sllovakia janë dy vende të BE-së që kanë marrë tashmë doza të vaksinës ruse, ndërsa Austria dhe Republika Çeke kanë treguar gjithashtu interes./tvklan/