Gjermania do t’ia dorëzojë Ukrainës edhe një sistem Patriot
Qeveria e Gjermanisë do ta furnizojë Ukrainën me një tjetër sistem ajror për mbrojtje ajrore, Patriot, teksa ajo përballet me luftën e Rusisë, ka thënë të shtunën ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius.
Sipas një deklarate të lëshuar për media, sistemi do të dërgohet menjëherë në Ukrainë.
Deri më tani Gjermania i ka dërguar Ukrainës dy sisteme Patriot, raporton Rel.
Sipas Ministrisë gjermane, sistemet e kanë dëshmuar vetën në luftën kundër agresionit rus.
Kjo dërgesë po bëhet teksa ministri Pistorius dhe ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Berbock po lobojnë intensivisht te partnerët për dërgimin të sistemeve mbrojtëse në Ukrainë.
“Terrori rus kundër qyteteve ukrainase dhe infrastrukturë së qytetit është duke shkaktuar vuajtje të pamatshme”, ka thënë Pistorius, sipas deklaratës.
Më herët gjatë ditës, komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrsky, ka thënë se “situata në frontin lindor është përkeqësuar në mënyrë të konsiderueshme ditëve të fundit”.
Gjenerali i lartë amerikan, Christopher Cavoli, ka paralajmëruar ditë më parë se Ukraina nuk do të mund ta përballojë e vetme luftën kundër Rusisë, teksa një paketë masive e ndihmës amerikane vazhdon të jetë e bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara.
Ndihma është bllokuar prej disa republikanëve konservatorë, të cilët besojnë se çështjet e brendshme në SHBA duhet të kenë prioritet.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.