Gjermania e gatshme të vazhdojë dialogun me Rusinë
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, ka thënë se pavarësisht humbjes së besimit në Rusinë, shteti i tij është i gatshëm që të vazhdojë dialogun me Moskën, në përpjekje për të zgjidhur konfliktet rajonale.
“Nuk ka diskutim, besimi është humbur për shkak të veprimeve të Rusisë në vitet e fundit. Në të njëjtën kohë, neve na nevojitet Rusia si partner, për shembull për të ndihmuar në zgjidhjen e konflikteve rajonale, për çarmatim dhe më e rëndësishmja si një shtyllë e rendit multilateral”, ka thënë Maas, në një intervistë të publikuar sot në gazetën gjermane “Bild am Sonntag”.
Gjermania i është bashkuar aleatëve perëndimorë në dëbimin masiv të diplomatëve rusë, për shkak të dyshimeve se Moska qëndron prapa sulmit me agjent nervor ndaj ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia në Britani.
Për këtë sulm, Britania e ka akuzuar Rusinë, por Moska ka mohuar çdo përfshirje në të.