Gjermania e konfirmon pranimin e draft-statutit nga Edi Rama
Kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama dje tregoi publikisht se e ka dorëzuar një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbë në ShBA, Gjermani dhe Francë.
Gjermani e ka konfirmuar se e ka marrë dokumentin e Ramës. Në një përgjigje për Nacionalen, Gjermania ka theksuar se nuk mund të flasë për përmbajtjen e dokumentit, pasi është konfidencial.
“Ne mund të konfirmojmë pranimin e një dokumenti të tillë në Kancelari. Ne kërkojmë mirëkuptimin tuaj që nuk mund të komentojmë mbi përmbajtjen e tij konfidenciale.” – deklaroi Qeveria e Gjermanisë.
Rama ka bërë të ditur se i ka dërguar presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, një draft statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
“Me Albin Kurtin nuk e kemi diskutuar dokumentin. Nuk është fati i Kurtit sot në lojë, është fati i Republikës së Kosovës si e tërë dhe natyrisht që unë dua vetëm suksesin e Kurtit dhe Qeverisë së Kosovës”, ka theksuar ai.
“Por, nuk mund të rri më duke parë në kushtet kur realisht ajo që shoh duhet ndarë me të gjithë sepse është një kërcënim shumë i madh që nuk i vjen Kosovës nga Serbia, por i vjen nga reduktimi i marrëdhënieve me aleatët në një nivel ku e humbura e madhe është Kosova. Ky është shqetësimi im”, ka thënë Rama.
Më tej, ai ka uruar që dokumenti të cilin ua ka dërguar dy burrështetasve evropianë, thjeshtë të përkthehet në një mundësi për dialogun “pastaj aty e dinë vetë ata se çfarë marrin e çfarë nuk marrin”, siç ka thënë ai.