Gjermania e paralizuar
Jens Thurau
Fillimisht presidenti Frank-Walter Steinmeier këtë javë telefonoi me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, më pas ai i telefonoi edhe kancelares në Ankara. Pavarësisht se për çfarë është folur – ky është një lajm befasues. Prej muajsh marrëdhëniet gjermano-turke përshkruheshin si të ngrira. Ndaj çdo bisedim është tani më se i mirëpritur.
Por tani flitet edhe për një koalicion të ri me bazë të gjerë
Problemi është vetëm, se edhe Erdogani e di, që ndërkohë Angela Merkel mund të qeverisë vetëm me kufizime. Të enjten (30.11) kancelarja bisedoi dy orë bashkë me kryetarin e partisë socialdemokrate, SPD, Martin Schulz dhe kryetarin e kristiansocialëve, CSU, Horst Seehofer me presidentin në kështjellën Bellevue. Presidenti do t’i shmangë zgjedhjet e reja dhe insiston që SPD-ja dhe unioni CDU/CSU, pavarësisht zhgënjimeve të fillojnë edhe një herë nga e para me një koalicion me bazë të gjerë mes tyre, ndonëse nuk e preferojnë atë. Ka gjasë që kjo të ndodhë, SPD-ja është tani e gatshme për bisedime, edhe pse ajo vazhdon t’i mbajë të hapura të gjitha opcionet, madje edhe tolerimin e një qeverie të pakicës nga CDU-ja. Por mund të zgjasë derisa të krijohet një qeveri e re. Ndoshta deri në mars, sikurse hamendësojnë disa vëzhgues. Deri para pak javësh SPD-ja ishte kategorikisht e vendosur të ripërtërihet duke qendruar në opozitë.
Erdogan, Trump, Macron
Me Erdoganin me siguri Merkel ka folur sërish mbi politikën për refugjatët, e me shpresë edhe për gjermanët e arrestuar në Turqi. Këto janë vetëm dy nga problemet më emergjente mes dy vendeve. Ndërsa në Francë presidenti Emmanuel Macron pret, që Gjermania së shpejti të shprehet lidhur me planet e tij për reformat në Eurozonë dhe në BE në përgjithësi. Gjatë kësaj kohe SHBA ushtron brutalisht presion ndaj aleatëve (a mund ta quash në fakt edhe kështu?), që në rast nevoje të ndërpriten marrëdhëniet diplomatike me Korenë e Veriut. Këtë tani për tani e kapërceu në SHBA ministri i Jashtëm Sigmar Gabriel nga SPD-ja (po ashtu ende në detyrë) , duke deklaruar tërheqjen e një diplomati nga Ambasada Gjermane në Penjan. Kjo ndihmon për momentin, por nuk është qëndrimi i duhur.
Besimi tani për tani ka humbur
E të gjitha këto nuk presin dhe shtyhen në një kohë, kur të dyja partitë e mëdha në Berlin fillimisht duhet të përpilojnë sërish një bazë të përbashkët qeverisjeje. Por sa i takon besimit puna është vështirësuar, në mënyrë ekstreme madje. Me fytyrë të ngurtësuar, së brendshmi duke zier nga mllefi të premten Schulz, deklaroi se është i gatshëm për bisedime për koalicion. Por ai akuzoi CDU-në, se ka nxjerrë “një lajm të remë” (kështu u shpreh shprehimisht Schulz) në media. Personalisht pothuajse asgjë nuk shkon mes unionit CDU/CSU dhe SPD-së.
Politika e Jashtme temë debati në union dhe tek SPD-ja
Jashtëzakonisht e vështirë do të jetë edhe në aspektin përmbajtjesor, edhe sikur të arrihet që të jenë shëruar plagët në nivelin personal. Një shembull është Franca dhe Macron: SPD-ja bën të qartë, se është kundër investimeve më të fuqishme shtetërore, ndoshta edhe ndaj një politike të përbashkët financiare në Eurozonë – por Merkel është shumë skeptike. Mund të zgjasë, derisa të arrihet një marrëveshje. Mjaft pengesa ka edhe në politikën e brendshme – pa përmendur këtu p.sh. politikën për shëndetësinë.
Steinmeier ka të drejtë: Jo zgjedhje të reja
Gjithnjë më e qartë po bëhet, se presidenti ka të drejtë që është shprehur kundër zgjedhjeve të reja dhe që gati po i detyron partitë për krijimin e qeverisë. Në Berlin po qeveriset, por me gjysmë force. Në ministri dhe në kancelari shumë nëpunës të lartë nuk e dinë se si do të ecet më tej, se çfarë e pengon zellin aty këtu. Ndërkohë që autokratët e egomanët këtej e andej Atlantikut do të flasin ndryshe me një kancelare në detyrë në dallim nga një kancelare të zgjedhur prej Bundestagut. Deri në pranverë në fakt Gjermania nuk mund të presë për një qeveri të re, sepse çdo ditë vlen. /DW