Gjermania e përkushtuar të qëndrojë në paktin bërthamor
Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, ka thënë se anulimi i marrëveshjes bërthamore në mes të Iranit dhe fuqive botërore do të ishte gabim.
Merkeli i ka thënë Parlamentit gjerman se pavarësisht se pakti është “larg ideales… nuk është në rregull që kjo marrëveshje të anulohet në një situatë të tillë”.
Ajo ka thënë se pavarësisht mospajtimeve mes Uashingtonit dhe aleatëve evropianë mbi këtë marrëveshje, “marrëdhëniet transatlantike janë dhe mbeten të një rëndësie të madhe”, raporton “Rel”.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka njoftuar javën e kaluar se SHBA tërhiqet nga marrëveshja, pavarësisht përpjekjeve të fuqive evropiane për ta bindur Uashingtonin që të qëndrojë në këtë pakt.
Më 2015, Irani kishte nënshkruar marrëveshjen bërthamore me Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Francën, Gjermaninë, Rusinë dhe Kinën. Kjo marrëveshje e obligon Teheranin që të frenojë programin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.